Presidenti gjerman përgatitet të vizitojë Tiranën e Shkupin: Ballkani nuk është harruar/Skeptik për Serbinë!

vovalbania November 29, 2022 0 koment 5 Mund të lexoni në minuta.
Presidenti gjerman përgatitet të vizitojë Tiranën e Shkupin: Ballkani nuk është harruar/Skeptik për Serbinë!

Në prag të vizitave në Tiranë dhe Shkup, presidenti i Gjermanisë, Frank Walter Steinmeier, flet për përparimet e Shqipërisë e të Maqedonisë së Veriut drejt BE-së, ndërsa hedh dyshime në seriozitetin e rrugëtimit të Serbisë. Në një intervistë për DW, kreu i shtetit gjerman thekson se do të përcjellë mesazhin se “Ballkani Perëndimor nuk është lënë në harresë”. “Nëse bëjnë progresin përkatës në vendet e tyre, edhe rruga drejt anëtarësimit europian bëhet më e menaxhueshme”, – nënvizon Steinmeier.

Deutsche Welle: Zoti President, ju po udhëtoni në Maqedoninë e Veriut dhe Shqipëri. Lufta e Ukrainës ka krijuar një dinamikë të re në Ballkanin Perëndimor dhe në Evropë. A do ta përshpejtojë kjo luftë procesin e integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE?

Frank-Walter Steinmeier: Nuk e di, nëse do ta përshpejtojë, por udhëtimi im synon pikërisht të sinjalizojë se Ballkani Perëndimor nuk është aspak i lënë në harresë. Natyrisht, ne kemi patur edhe debate me kolege dhe kolegë nga Ballkani Perëndimor, të cilët kanë shprehur shqetësimin e tyre se mos dëshira e Ukrainës për anëtarësim në Bashkimin Evropian do të trajtohet ndoshta më shpejt se të gjitha kandidaturat e tjera të bëra nga vendet e Ballkanit Perëndimor. E kuptoj padurimin, por si shumë të tjerë, edhe unë do t’u siguroj se Ballkani Perëndimor nuk është aspak i harruar. Dhe udhëtimi në Maqedoninë e Veriut dhe Shqipëri shërben gjithashtu për të dërguar mesazhin për të gjithë rajonin: Nëse do të bëjnë progresin përkatës në vendet e tyre, atëherë edhe rruga drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian do të bëhet më e menaxhueshme.

Megjithatë, BE-ja nuk ka një plan kohor për Ballkanin Perëndimor. Kështu që disa vende i kanë caktuar vetë datat se kur synojnë anëtarësim, si për shembull, në vitin 2030. A do t’u  thoni deputetëve se kjo datë është realiste, kur të flisni në parlamentet e këtyre vendeve?

Unë jam President, e jo profet! Pradaj, siç thashë, kjo varet nga vullneti i brendshëm për t’u reformuar dhe nga gatishmëria për t’i zbatuar realisht reformat. Por sot ne mund të argumentojmë edhe ndryshe karshi shteteve të Ballkanit Perëndimor. Sepse, për shembull, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kanë bërë hapa vendimtare përpara. Kjo forcon vetëbesimin në këto vende dhe gjithashtu ua bën të qartë të tjerëve në rajonin e Ballkanit Perëndimor, se ky hap ia vlen. Dhe, të mos harrojmë se, përtej çështjes së anëtarësimit në kuptimin e ngushtë të fjalës, edhe gjatë këtij rrugëtimi shënohen përparime. Në Berlin filloi shumë vite më parë Procesi i  Ballkanit Perëndimor. Siç më kujtohet, ka qenë shumë e vështirë në fillim. Por, duke pasur parasysh samitin e fundit, atëherë mendoj se udhëtimi me letërnjoftime, njohja reciproke e diplomave shkollore dhe universitare, gatishmëria e evropianëve për të ndihmuar në rritjen e çmimit të energjisë, janë përparime domethënëse. Pra, e kuptoj padurimin, pa diskutim. Por nuk jemi as në fazën kur duhet të flasim për shkurajim. Jo vetëm për shkak të Ukrainës, sepse ne të gjithë jemi duke mbajtur një sy nga Ballkani Perëndimor, por edhe sa i përket Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, ku ka hapa përpara.

BE-ja pret reforma të shpejta nga Ballkani Perëndimor, por gjithashtu thotë se duhet të reformojmë veten së pari, përpara se të jemi të gatshëm për të pranuar anëtarë të rinj. Dhe sa mendoni se mund të zgjasë kjo?

Duhet të bëhet sa më shpejt që të jetë e mundur. Por më duhet t’jua pranoj se nuk shoh asnjë shenjë për momentin që institucionet evropiane do të reformohen së shpejti. Duke qenë se unë i njoh institucionet evropiane prej shumë vitesh edhe nga brenda, e di që jemi në një seri krizash multiple, kujtoj krizën e euros, na kujtohet kriza e refugjatëve e viteve 2015 dhe 2016. Si BE kemi pasur një sfidë të madhe me luftimin e pandemisë. Sigurisht, të gjitha këto ishin  kriza që vijuan me shpejtësi njëra pas tjetrës dhe, siç e shohim tani, kriza e pandemisë nuk ka përfunduar ende, dhe lufta e agresionit rus kundër Ukrainës është një barrë për të gjithë ne. Gjëra të tilla thithin energji dhe nuk lënë hapësirë në kokat e njerëzve për reforma të brendshme, megjithëse jam dakord që ato janë urgjente.

Në luftën e Ukrainës, shumica e vendeve të Ballkanit Perëndimor po tregojnë solidaritet të madh. Ato po zbatojnë sanksionet kundër Rusisë, me gjithë shqetësimet e mëdha për pasojat. Përjashtim bën Serbia, e cila vazhdimisht tregon afërsinë e saj me Moskën. A i shpërblen BE-ja mjaftueshëm këto qëndrime solidariteti të vendeve të Ballkanit Perëndimor? Dhe si duhet të sillet ajo me Serbinë?

Për t’iu përgjigjur pjesës së parë të pyetjes, kjo është një nga arsyet, pse unë jam në rajon tani. Sepse dua të krijoj një përshtypje për atmosferën e atjeshme. Dhe mendoj se me siguri do të marrim një pamje të përgjithshme për atmosferën. Që Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria jo vetëm dëshmojnë solidariteti me Ukrainën, jo vetëm demonstrojnë qëndrim të përbashkët, për shembull, në rritjen e presionit ekonomik ndaj Rusisë, por edhe përmbushin detyrimet e tyre brenda NATO-s, veç kësaj, Shqipëria përfaqësohet edhe jashtë NATO-s, në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, mendoj se meriton njohje dhe respekt. Por kjo është diçka që duhet të nxisë vetëbesimin në këto vende. Nëse është kështu, sigurisht që këtë do ta shoh  gjatë udhëtimit tim. Dhe sa i përket Serbisë, pra pyetjes suaj të dytë, ne po mundohemi ta bindim Serbinë se rruga që po bën Serbia tani, ngre pyetje rreth seriozitetit, me të cilin ajo po bën rrugëtimin e saj në drejtim të BE-së. Kam gati 20 vjet që ndjek rrugën e Ballkanit Perëndimor drejt Bashkimit Evropian dhe kam qenë shpesh në Serbi. Jam i sigurt se njerëzit në Serbi nuk duan të qëndrojnë prapa dëshirës, ​​që  vjen edhe nga shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor për t’iu afruar Bashkimit Evropian e për t’u bërë dikur anëtarë të tij. Në këtë aspekt, unë mund të shpresoj dhe do të vazhdoj të përpiqem ta bind lidershipin politik në Serbi që të ndjekë këtë rrugë pa mëdyshje.

Së fundi, edhe dy fjalë për konfliktin ndërmjet Serbisë dhe Kosovës që u zgjidh në minutën e fundit. Çfarë mund të bëjnë Gjermania dhe Evropa për të frenuar realisht dhe në terma afatgjatë këtë rrezik sigurie në rajon?

Sa i përket konfliktit, mendoj se kjo shkon me pyetjen e fundit, sepse zgjidhja e konfliktit ndoshta ka treguar edhe një herë se sa e rëndësishme është Evropa, sa i rëndësishëm është Bashkimi Evropian në rajon. Nëse nuk do të ishte kjo dëshirë ndaj Evropës, atëherë në thelb Evropa nuk do të kishte fuqi negociuese në konflikte të tilla ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Por duke qenë se dëshira për të ardhur në Evropë, për t’u bërë dikur anëtarë të Bashkimit Evropian, është ende e theksuar në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, Evropa e ka këtë fuqi negociuese, këtë mundësi negociuese dhe arriti ta shmangë këtë konflikt, në pamje të parë të vogël, atëherë edhe konfliktet më të mëdha në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës duhet të adresohen, dhe në këtë kuptim, të zgjidhen në mënyrë paqësore.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65745 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE