Studimi i ri/Ilaçi Lecanemab për Alzheimer rikonfirmohet si zbulim i rëndësishëm!
Shkencëtarët e konsiderojnë tejet të rëndësishëm zbulimin e një ilaçi që besohet se ngadalëson shkatërrimin e trurit nga sëmundja e njohur si Alzheimer, forma më e shpeshtë e harresës. Quhet Lecanemab e sulmon proteinat e dëmshme që krijohen në trurin e një njeriu që ka Alzheimer. Por, medikamenti ka efekt të vogël dhe ndikimi i tij në përditshmërinë e njerëzve të prekur nga kjo sëmundje është duke u diskutuar. Sipas studimeve, ilaçi e ka ngadalësuar përkeqësimin e Alzheimerit për një të katërtën, përgjatë 18 muajve të trajtimit.
Po ashtu, besohet se funksionon në fazat e hershme të sëmundjes, ndaj shumë njerëz kanë mundësi të kalojnë nëpër disa faza derisa ta identifikojnë. Ndërkohë, është antitrup si ata që krijon trupi për të luftuar viruset dhe bakteret, i krijuar për të mësuar sistemin imunitar që “të pastrojë” trurin nga proteinat e dëmshme. Aktualisht, personave që vuajnë nga Alzheimeri u jepet një terapi vetëm për menaxhimin e simptomave, por duhet thënë se asnjëra nuk e lufton sëmundjen
Në studimin e ri u përfshinë 1 mijë e 795 vullnetarë, të diagnostikuar në fazën e parë të sëmundjes. Dozat e ilaçit të ri, pacientëve iu dhanë çdo katër ditë. Rregullatorët amerikanë janë duke analizuar këto të dhëna për të vendosur nëse do ta miratojnë ilaçin për përdorim të gjerë. Prodhuesit e tij, kompanitë farmaceutike Eisai dhe Biogen planifikojnë të aplikojnë vitin e ardhshëm për miratim të medikamentit në shtetet e tjera.
Shkencëtarët kanë dalë në përfundimin se sëmundja e Alzheimerit përparon ndryshe në tru nga sa ishte menduar më parë. Shkencëtarët nga Universiteti i Kembrixhit dhe Shkolla Mjekësore e Universitetit të Harvardit thanë se Alzheimer nuk fillon në një zonë të vetme të trurit duke u përhapur më pas në zona të tjera.
Sipas gjetjeve të tyre, grupet e proteinave toksike që mendohet se janë përgjegjëse për sëmundjen e Alzheimerit prekin rajone të ndryshme të trurit e më pas grumbullohen aty gjatë dekadave. Zbulimi i ri thotë se zhvillohet paralelisht në disa pjesë të trurit. Hulumtimi, i publikuar në revistën Science Advances është i pari që përdor të dhënat njerëzore për të përcaktuar shpejtësinë e proceseve molekulare që çojnë në sëmundjen Alzheimer.