Maroku fiton, merr vendin e parë dhe kualifikohet. Kanadaja e mbyll me 0 pikë!
Maroku mposhti 1-2 Kanadanë dhe ia del të kualifikohet për në fazën pasardhëse, madje duke e mbyllur në vendin e parë Grupin F. Vendimtar për kombëtaren afrikane, golat e Ziyech dhe En Nesyri.
Sa i takon kronikës së ndeshjes, në pjesën e parë, Maroku i shfaqi menjëherë ambiciet e saj dhe ia doli të zhbllokonte rezultatin që në minutën e katërt me anë të Hakim Ziyech. Futbollisti që aktivizohet në radhët e Chelseat në Premier League përfitoj edhe nga një dalje e gabuar e portierit kanadez Borjan i cili la kuadratin e boshatisur dhe sulmuesi nuk e pati të vështirë për ta ndëshkuar.
Vrulli i Marokut vijoi edhe në minutat në vazhdim, teksa kombëtarja afrikane gjeti dyfishimin në minutën e 23-të me anë të En Nesyri. Sulmuesi i Sevilla nuk fali portierin Borjan dhe i dhuroi qetësi skuadrës së tij. Megjithatë, kanadezët edhe pse nuk luanin për ndonjë objektiv konkret kërkuan të reagonin dhe fati i ndihmoi pasi nëpërmjet autogolit të Aguerd në të 40-tën shkurtuan diferencat. Goli i Kanadasë zgjoi Marokun që shënoi sërish me En Nesyrin por këtë herë sulmuesi ishte i pafat pasi goli iu anulua për një pozicion jashtë loje të Aguerd që ishte në rrezen e portierit kundërshtar.
Në fraksionin e dytë, Maroku provoi të menaxhonte sfidën, por ishte Kanadaja që iu afrua seriozisht rrugës së rrjetës me një goditje me kokë të Hutchinson që u ndal nga traversa dhe më pas Johnston nga fare pranë nuk gjeti kuadratin e Bono. Megjithatë, deri në fund, rezultati nuk ndryshoi dhe Maroku siguron fazën e 1/8-tave ndërsa e mbylli Grupin F në vendin e parë, nga ana tjetër, Kanadaja e mbyll Botërorin me 0 pikë. Ndërkaq, Maroku pret në fazën e 1/8-tave, vendin e dytë të Grupit E aty ku është në lojë Spanja, Japonia, Kosta Rika dhe Gjermania.