Sanksionet ndaj Rusisë, BE rrit presionin ndaj Beogradit!

vovalbania December 03, 2022 0 koment 3 Mund të lexoni në minuta.
Sanksionet ndaj Rusisë, BE rrit presionin ndaj Beogradit!

Presioni i Bashkimit Evropian ndaj Serbisë është duke u rritur, për shkak të refuzimit të Beogradit për t’i mbështetur sanksionet ndaj Rusisë, thonë diplomatë evropianë.

Nga koha kur Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës në muajin shkurt, BE-ja ka shprehur qartë pritjet që vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilat synojnë integrimin në BE, t’i mbështesin qëndrimet e këtij blloku, duke i përfshirë edhe sanksionet kundër Rusisë, për shkak të pushtimit të Ukrainës.

Serbia, deri tani, i ka injoruar këto thirrje dhe kjo, si duket, e ka rritur zemërimin e disa vendeve anëtare të BE-së.

Për pasojë, thonë disa burime diplomatike në Bruksel, “praktikisht është ngrirë edhe procesi i negociatave të anëtarësimit të Serbisë në BE”.

Kjo dëshmohet edhe me faktin se, për më shumë se një vit, Serbia nuk ka hapur apo mbyllur asnjë kapitull në procesin e negociatave. Për hapjen apo mbylljen e tyre duhet pajtim i të gjitha vendeve anëtare të BE-së. Dhe, disa vende, thonë diplomatët, “nuk duan që Serbia të shpërblehet me vazhdimin e procesit të anëtarësimit në BE, sikur të mos ketë ndodhur asgjë“.

Edhe Parlamenti Evropian, përmes një rezolute për strategjinë e re të zgjerimit, ka kërkuar që të kushtëzohen negociatat e anëtarësimit të Serbisë në BE me mbështetjen e sanksioneve kundër Rusisë.

Presioni pritet të rritet edhe gjatë muajit dhjetor, kur në Tiranë do të mbahet një samit i BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Në deklaratën që pritet të miratohet atje, do të përsëritet thirrja për mbështetje të sanksioneve ndaj Rusisë.

Në draftin e deklaratës që ka parë Radio Evropa e Lirë, nuk përmendet ndonjë vend me emër, por besohet se bëhet fjalë për Serbinë, e cila nuk i ka mbështetur ende sanksionet e Bashkimit Evropian kundër Rusisë.

“Përderisa thellojmë bashkëpunimin tonë me partnerët, kërkojmë nga ta që të bëjnë përparim të shpejtë dhe domethënës drejt përshtatjes së plotë me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë, si dhe të veprojnë në përputhje me këtë, përfshirë edhe me masat restriktive të BE-së“, thuhet në draft-deklaratën që pritet të miratohet në samitin e 6 dhjetorit.

Serbia në atë samit, paralajmërojnë diplomatët, “do të jetë pak a shumë e izoluar, pasi është i vetmi shtet pjesëmarrës që nuk i ka vendosur sanksione Rusisë“.

Zhgënjimi i disa vendeve të BE-së me Serbinë pritet të jetë edhe më i qartë në disa konkluza që do të miratohen për procesin e zgjerimit dhe të stabilizim-asociimit, më 13 dhjetor, nga Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme të BE-së.

Sipas draftit të konkluzave që kanë përgatitur vendet e BE-së, pritet të shprehet “shqetësim i thellë“ për “ecjen prapa” që ka bërë Serbia në përshtatjen e qëndrimeve të saj me ato të BE-së, sa u takon çështjeve të politikës së jashtme dhe të sigurisë.

Në draft-konkluza, BE shpreh “pritje të fuqishme” nga Serbia që t’i përmbushë obligimet e marra në kuadër të kornizës negociuese me BE-në, si dhe të forcojë përshtatjen e saj me politikën e BE-së, përfshirë edhe sanksionet kundër Rusisë.

Po ashtu pritet që ky këshill i BE-së të mirëpresë faktin se Qeveria e re e Serbisë e ka cilësuar integrimin në BE si qëllim strategjik, por se do të kërkohet që kjo të ndiqet edhe me veprime konkrete.

“Sidomos në kontekstin e agresionit luftarak të Rusisë kundër Ukrainës, këshilli pret nga Serbia që të dëshmojë përkushtim të palëkundur ndaj BE-së dhe të angazhohet për parimet dhe vlerat tona të përbashkëta”, thuhet në draft-konkluza.

Sipas burimeve diplomatike, Bashkimi Evropian nuk mendon të ndërmarrë hapa formalë për pezullimin e negociatave të anëtarësimit me Serbinë, por është i vetëdijshëm se negociatat nuk ka gjasa reale të vazhdojnë derisa Serbia nuk u bashkohet sanksioneve të Perëndimit kundër Rusisë.

Nga Serbia, vendet e BE-së presin po ashtu që të mos lejojë anashkalimin e sanksioneve kundër Rusisë përmes territorit të saj.

Serbia prej vitesh negocion anëtarësimin në BE, por në të njëjtën kohë bashkëpunon edhe me Rusinë në disa fusha, përfshirë mbrojtjen.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65812 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE