BE-ja i nxjerr “dhëmbët” Twitter-it/Nëse nuk respekton rregullat rrezikon mbyllje në Europë!
“Twitter mund t’i nënshtrohet gjobave dhe të tjera penaliteteve, nëse nuk respekton rregullat në përputhje me ligjin e Bashkimit Europian”. Kërcënimi vjen nga eurokomisioneri i Tregut të Brendshëm, Thierry Breton.
Eshtë absolutisht e qartë se nëse Twitter nuk respekton këto rregulla, ne mund të vendosim gjoba. Dhe nëse shkeljet e rregullave vazhdojnë, ne mund ta mbyllim platformën në Europë. Ne po ndjekim nga afër se çfarë po ndodh në Twitter që nga koha kur Elon Musk mori kontrollin e platformës.
Breton njoftoi se brenda muajit do të ketë një tjetër takim mes tij dhe njeriut më të pasur të botës, i cili derdhi 44 miliardë dollarë për të finalizuar blerjen e platformës, edhe pse fillimisht ndryshoi mendje e ishte shumë pranë tërheqjes nga blerja, çka e çoi çështjen dyerve të gjykatave për prishje të marrëveshjes.
Eurokomisioneri Breton shtoi:
Ligjet për tregjet e po ashtu për shërbimet digjitale, sigurojnë mjete të fuqishme për të frenuar përhapjen e gënjeshtrave dhe urrejtjes. Twitter duhet të përmbushë këto kritere, nëse dëshiron të vazhdojë të operojë në tregun europian.
Më herët, presidenti francez, Emmanuel Macron tha se Twitter ishte angazhuar për eliminimin e përmbajtjeve terroriste dhe ekstremiste në internet. Një vizitë të ditëve të fundit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shefi i Elizesë e shfrytëzoi edhe për të zhvilluar një takim me Elon Musk-un, ndërsa diskutimet i përshkroi si “diskutime të qarta e të ndershme”.
Macron bëri të ditur se Musk konfirmoi pjesëmarrjen e Twitter-it në iniciativën “Christchurch Call”, të nisur pas sulmeve terroriste në Zelandën e Re.
Nuk ka vend për përmbajtje terroriste e të dhunshme ekstremiste, askund!
Ndër të tjera, mësohet edhe se Macron e Musk folën për politikat transparente të përdoruesve, përforcimin e konsiderueshëm të moderimit të përmbajtjes, si edhe mbrojtjen e lirisë së fjalës.
Një kërkesë e kishte edhe presidenti francez:
Duhet të bëhen përpjekje nga Twitter-i për t’iu përmbajtur rregulloreve europiane.