Bisedimet e paqes për Ukrainën, Uashingtoni nuk beson se Putin është i sinqertë!

vovalbania December 04, 2022 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Bisedimet e paqes për Ukrainën, Uashingtoni nuk beson se Putin është i sinqertë!

“Presidenti rus Vladimir Putin nuk është i sinqertë lidhur me mundësinë për bisedimet e paqes me Ukrainën në këtë kohë”. Deklarata vjen nga zv.sekretarja amerikane e Shtetit për Çështjet Politike, Victoria Nuland, pas takimit me presidentin Volodymyr Zelenskiy e të tjerë zyrtarë të lartë ukrainas në Kiev. Diplomatja e lartë e Uashingtonit vizitoi Ukrainën për të shprehur mbështetje teksa me sulme të vazhdueshme, Rusia po përpiqet të shkatërrojë infrastrukturën energjetike të vendit. Para gazetarëve, u shpreh:

Padyshim që diplomacia është objektivi i të gjithëve, por duhet të kesh një partner të gatshëm për bisedime. Dhe është shumë e qartë, duke pasur parasysh sulmet ndaj rrjetit energjetik apo retorikën e Kremlinit e në përgjithësi qëndrimet e Moskës, se Putini nuk është i sinqertë apo i gatshëm për një gjë të tillë.

Kujtojmë se tre ditë më parë, presidenti amerikan, Joe Biden tha se ishte i gatshëm të fliste me homologun rus Putin nëse ky i fundit tregonte se ishte i interesuar t’i jepte fund luftës në Ukrainë.

Por, Kremlini ka kushte e vuri në dukje se më parë, Perëndimi duhet të njohë aneksimin nga Moska të katër rajoneve të Ukrainës, çka refuzohet kategorikisht. Victoria Nuland theksoi se ky reagim nga Rusia, tregoi se “ata nuk janë seriozë”.

Në vijim të vizitës në Kiev, zëvendës sekretarja e Shtetit, gjithashtu u takua me shefin e zyrës së presidentit Zelenskiy. Andriy Yermak i shprehu falënderime Uashingtonit zyrtar për ndihmën prej miliarda dollarësh që i ka dhënë Ukrainës.

“Fitorja e Ukrainës, për të cilën jemi të sigurt, do të jetë fitorja jonë e përbashkët”, – u citua t’i thonte diplomates Nuland.

Një ditë më parë, zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby sqaroi se presidenti Biden, as nuk ka ndërmend që tani për tani të flasë me Putinin.

Tashmë, i takon Ukrainës të vendosë nëse dhe kur mund të negociohet një marrëveshje paqeje mes dy vendeve.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65722 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE