Anëtarët e rinj të KED-së për vitin 2023/Sandër Simoni kryetar!

vovalbania December 05, 2022 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Anëtarët e rinj të KED-së për vitin 2023/Sandër Simoni kryetar!

Fiona Papajorgji, Altin Binaj, Sandër Simoni dhe Arqilea Koça janë emrat e zgjedhur deri tani si anëtarë të rinj të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, KED për vitin 2023. Sipas ligjit, kryetari i ri do të jetë Sandër Simoni si përfaqësues i Gjykatës së Lartë. Pak javë më parë, Gjykata Kushtetuese, Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë dërguan në Institucionin e Presidentit të Republikës listat me emrat e gjyqtarëve e prokurorëve, të cilët sipas këtyre organeve plotësojnë kushtet e parashikuara në ligj, për t’u përfshirë në short.

Në KED zgjidhen dy anëtarë nga Gjykata Kushtetuese, një përfaqësues i Gjykatës së Lartë, një përfaqësues i Prokurorisë së Përgjithshme, dy përfaqësues nga Gjykatat e Apelit, dy përfaqësues të Prokurorive të Apelit, një përfaqësues nga Gjykatat Administrative. Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, KED është organ kolegjial, i përbërë nga 9 anëtarë me mandat 1-vjeçar dhe përgjegjës për vlerësimin e kritereve profesionale e morale të kandidatëve për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese e për Inspektor të Lartë të Drejtësisë.

Anëtarët e zgjedhur të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi e ushtrojnë detyrën më kohë të pjesshme, pa u shkëputur nga funksionet e tyre të zakonshme, për një mandat njëvjeçar, që fillon në datën 1 janar të çdo viti kalendarik. Gjykata e Lartë siguron mbështetjen e nevojshme organizative, administrative dhe financiare për realizimin e funksioneve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, të parashikuara në Kushtetutë e në ligj.

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi mblidhet sa herë është e nevojshme, për të kryer verifikimin e kushteve ligjore dhe vlerësimin e kritereve profesionale e morale të kandidatëve për Inspektor të Lartë të Drejtësisë, si dhe të kandidatëve për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese. Ky Këshilli shqyrton dhe i rendit kandidatët sipas meritës profesionale. Renditja e kandidatëve nuk është e detyrueshme.

Organet e emërtesës, Presidenti, Kuvendi e Gjykata e Lartë emërojnë dhe zgjedhin gjyqtarin e Gjykatës Kushtetuese ndërmjet tre kandidateve të renditur në tre vendet e para nga Këshilli. Kuvendi zgjedh Inspektorin e Lartë të Drejtësisë ndërmjet pesë kandidatëve të renditur në pesë vendet e para nga Këshilli. Në rastin kur këto organe të emërtesës nuk arrijnë të emërojnë dhe zgjedhin kandidatin, i emëruar në detyrë është kandidati i renditur i pari nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65722 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE