Belind Këlliçi zyrtarisht kandidati i PD për Bashkinë e Tiranës, tërhiqet Alimehmeti
Belind Këlliçi është zyrtarisht kandidati i Partisë Demokratike për Bashkinë e Tiranës në zgjedhjet lokale të 14 majit.
Ai përfundoi në balotazh në primaret e mbajtura një ditë më parë nga PD së bashku me Ilir Alimehmetin, por ky i fundit njoftoi sot tërheqjen nga gara.
“Jemi këtu në selinë e Partisë Demokratike më pak se 24 orë nga primaret kur anëtarësia shprehu me vonë kë do të donte kandidat të Bashkisë së Tiranës. Në respekt të votës së anëtarësisë jemi këtu që të flasim, të falenderojmë çdo vëzhgues për një proces që shkoi pa asnjë vërejtje. Kam qenë i bindur që ishte anëtarësia ajo që duhet të shmangej. Anëtarësia foli në favor të kandidatit Belind Këlliçi. Kjo është shenja e parë e qytetarisë. Të njohësh votën. Falenderoj këdo që më ka mbështetur. Do vazhdoj të punoj për ju për zgjedhjet e 14 majit”, tha Alimehmeti.
Ndërkohë, Këlliçi u shpreh se Alimehmeti do të jetë krahu i tij i djathtë në garën për bashkinë e Tiranës.
“Kushdo që ka patur pritshmëri kam përshtypjet që dhe më optimistët janë të befasuar nga ky standard që vendoset për herë të parë në demokracinë shqiptare. Nuk ka qenë një fushatë e lehtë, apo garë e lehtë. Ky është një ogur i mirë për klasën politike shqiptare dhe demokratizmin e forcave politike. Jam krenar që kam qenë pjesë e primareve. Ne sot do të adoptojmë garimin amerikan presidencial të garës. Unë kam kënaqësinë më të madhe sot të them që nuk jam më unë por jemi ne, të prezantoj Ilir Alimehemtin si krahun tim të djathtë në fushatë dhe nënkryetarin e bashkisë kur të fillojmë më 14 maj”, tha Këlliçi.