Shoqëritë e kursim-kreditit, tregu vijon në rritje/Në fund të tremujorit të tretë, rritja mbi 9%!

vovalbania December 05, 2022 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Shoqëritë e kursim-kreditit, tregu vijon në rritje/Në fund të tremujorit të tretë, rritja mbi 9%!

Tregu i shoqërive të kursim-kreditit (SHKK) po vijon të rritet edhe këtë vit. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në fund të muajit shtator, totali i aktiveve të tregut arriti vlerën e 14.36 miliardë lekëve ose pothuajse 123 milion eurove, në rritje me 9.2% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Shoqëritë e kursim-kreditit janë një segment i mikrofinancës, veçanërisht i suksesshëm në zonat rurale të vendit, me fokus kryesor financimin e fermerëve. Ato pranojnë depozita nga anëtarët dhe ofrojnë kredi për to, duke përshtatur në një shkallë më të vogël ndërmjetësimin financiar që zakonisht kryhet nga bankat tregtare.

Veçanërisht efikas, modeli i SHKK-ve ka rezultuar për financimin e atyre segmenteve të shoqërisë që për arsye të ndryshme kanë akses të kufizuar në sektorin bankar, sidomos për fermerët. Por, këto shoqëri mbledhin edhe kategori të caktuara të profesionistëve. Kredidhënia për anëtarët përbën edhe zërin kryesor në bilancin e këtyre kompanive, me 73% të totalit të aktiveve. Portofoli i kredisë së dhënë nga SHKK-të në fund të tremujorit të tretë, arriti në 10.44 miliardë lekë, në rritje me 14.9% krahasuar me një vit më parë.

Pjesa tjetër e aktiveve, kryesisht konsiston në depozita të vendosura në institucione të tjera financiare, ndërsa një pjesë të papërfillshme zënë investimet në letrat me vlerë e aktivet jo financiare. Aktiviteti ndërmjetësues i SHKK-ve, kryesisht mbështetet te depozitat e anëtarëve. Në fund të muajit shtator, depozitat përbënin afërsisht 71.4% të detyrimeve totale të sektorit. Në vlerë, ato prekën shifrën e 10.26 miliardë lekëve, në rritje 9.3% me bazë vjetore.

Rritja e depozitave të SHKK-ve vitet e fundit është mbështetur shumë edhe nga përfshirja e tyre në skemën e sigurimit të depozitave. Që prej vitit 2017, depozitat pranë SHKK-ve janë të siguruara deri në vlerën e dy milion lekëve. Por, sigurimi bëhet efektiv vetëm në momentin kur SHKK-ja përkatëse anëtarësohet në skemën e sigurimit të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave.

Për këtë qëllim, SHKK-të duhet të certifikohen dhe të marrin një vërtetim të përmbushjes së kritereve nga Këshilli Drejtues i ASD-së. Sipas Bankës së Shqipërisë, aktualisht në Shqipëri veprojnë 16 SHKK të licencuara, por pesë prej tyre e kanë pezulluar aktivitetin në periudhën 2015-2016.

Ndërkohë që mbështetur në informacionin zyrtar, mbeten 11 SHKK aktive, Agjencia e Sigurimit të Depozitave (ASD) raporton nëntë subjekte të anëtarësuara në skemën e sigurimit të depozitave. Deri vitin e kaluar, Banka e Shqipërisë ka ndjekur një qasje tolerante ndaj atyre SHKK-ve që ende nuk janë regjistruar në skemë, duke iu dhënë kohë për të përmbushur kërkesat e nevojshme për anëtarësim.

Por, këtë vit banka qendrore njoftoi se ka nisur procedurat për heqjen e licencës dhe likuidimin e subjekteve në fjalë. Megjithatë, deri tani kjo procedurë nuk është finalizuar për asnjë nga SHKK-të./Monitor

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65720 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE