Dështimi i Spanjës në Botëror, gati largimi për Luis Enrique/Marcelino i preferuari i Federatës!
Në Botërorin “Katar 2022”, dje Spanja dështoi përballë Marokut dhe i dha lamtumirën Kupës së Botës, për të dytën herë radhazi në raundin e 1/8-ve. Edhe në “Rusi 2018”, kombëtarja iberike eliminohej pas goditjeve të penalltive nga Rusia vendase, ndërsa një ditë më parë u përsërit e njëjta situatë, duke dështuar nga pika e bardhë përballë “Luanëve të Atlasit”.
Përveç triumfit 7-0 në takimin e parë ndaj Kosta Rikës, Spanja dha fare pak në takimet e tjera duke e merituar largimin nga Botërori. Trajnerit Luis Enrique i mbaron kontrata dhe drejtuesit e Federatës Spanjolle të Futbollit (RFEF) nuk kanë ndërmend t’i ofrojnë një akord të ri.
Sipas radios “Cadena SER”, në krye të listës së dëshirave të drejtuesve të futbollit iberik, të cilët mendojnë se është i nevojshëm një ndryshim në stol, gjendet Marcelino, 57-vjeçari me eksperiencë të madhe në La Liga, aty ku ka drejtuar klube si Athletic Bilbao, Valencia, Villareal e Sevilla.
Në vitin 2019, me Valencian ai fitoi Kupën e Mbretit dhe Superkupën e Spanjës me Bilbaon, vitin e kaluar. Marcelino qëndron pushim prej muajit qershor, pas ndarjes me klubin bask, ndërsa ulja në pankinën e Kombëtares do të ishte realizimi i një ëndrre.
Po dje, Portugalia siguroi kalimin në çerekfinale, pasi mundi thellë Zvicrën me rezultatin 6-1. Tashmë, Portugalia do të ndeshet me Marokun në çerekfinale.
Pjesa e parë u mbyll me rezultatin 2-0, pas golave të Ramos (17′) dhe Pepes (33′). Në pjesën e dytë zviceranët shkurtuan me golin e Akanji (58′). Ndërkohë, Portugalia shënoi edhe katër gola të tjerë me Ramos (51′) (67′) dhe Guerriero (58′) dhe Leao (90+2′).
Në fund të sfidës, Xherdan Shaqiri tregoi se ai dhe skuadra u surprizuan nga ndryshimet e Yakinit, pak minuta para ndeshjes.
Gjithmonë është e vështirë të analizosh një humbje. Ndaj Portugalisë ne ndryshuam planet tona, por ky ndryshim nuk dha fryte. Ne nuk u shprehëm në mënyrën tonë edhe pse ishim përgatitur mirë. Ishim të vetëdijshëm për vështirësitë e forcën e kundërshtarit. Duhet të pranojmë zgjedhjet e trajnerit tonë, edhe nëse jemi pak të befasuar. Tani, thjesht duhet të urojmë një ekip të madh si Portugalia. Në raundin me eliminim direkt, çdo gabim i vogël të ndëshkon.