Fshehën financimet në zgjedhjet e kaluara, PS e PD mes 13 partive të gjobitura nga KQZ!
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, KQZ ka vendosur gjoba ndaj partive politike që fshehën financimet në zgjedhjet politike të 25 prillit të vitit 2021, të cilat u fituan nga Partia Socialiste. Ndërkohë, forca politike në pushtet është mes të gjobiturave nga KQZ-ja, bashkë me 12 parti të tjera. KQZ ka gjobitur Partinë Socialiste me 5.5 milion lekë (55 milion lekë të vjetra) për shkelje ligjore mbi shpenzimet elektorale në zgjedhjet e 25 Prillit 2021. Sipas Komisionit, PS-ja ka tejkaluar kufirin maksimal të shpenzimeve për fushatën zgjedhore nga kandidatët dhe subjektet politike.
Partia Demokratike është gjobitur me 700 mijë lekë (7 milion lekë të vjetra) për shkelje ligjore mbi shpenzimet elektorale në zgjedhjet e 25 Prillit 2021. Edhe PD, sipas Komisionit ka tejkaluar kufirin maksimal të shpenzimeve për fushatën zgjedhore.
Vendimet jepen pas auditimeve të ekspertëve ligjorë, por do të jetë KAS që thotë fjalën e fundit duke dhënë verdiktin final.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka gjobitur 13 parti gjithsej:
PS 5. 5 milion lekë
PD 700 mijë lekë
PDK 100 mijë
LZHK 100 mijë
LEGALITETI 500 mijë
PR 500 mijë
Balli Kombëtar Demokrat 500 mijë
Nisma Thurje 600 mijë
Bindja Demokratike 600 mijë
Lëvizja Demokratike 600 mijë
PSD 600 mijë
Balli Kombëtar 600 mijë
LSI rezulton e vetmja parti me raport të rregullt sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve e nuk është gjobitur.