Britania e Madhe i vendos sanksione tre serbëve, dy prej tyre me ndikim në Kosovë!

vovalbania December 09, 2022 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Britania e Madhe i vendos sanksione tre serbëve, dy prej tyre me ndikim në Kosovë!

Në kuadër të masave globale kundër korrupsionit, Britania e Madhe vendos sanksione ndaj Zvonko Veselinoviçit, Milan Radoiçiçit dhe Sllobodan Teshiçit.

Milan Radoiçiç, biznesmen në fushën e ndërtimit dhe nënkryetar i Listës Serbe në Kosovë ka përfituar nga përvetësimi i kontratave shtetërore duke përdorur ndikimin e tij, për t’iu siguruar kontrata fitimprurëse kompanive që kë në pronësi.

Zvonko Veselinoviç, gjithashtu sipërmarrës në fushën e ndërtimit në Kosovë, shfrytëzon kontratat publike për të përvetësuar fondet shtetërore.

Po ashtu, Veselinoviç e Radoiçiç janë në listën e zezë të SHBA-ve për shkak të përfshirjes së tyre në krimin e organizuar ndërkombëtar. Emrat e tyre, autoritetet e Kosovës i lidhin me vrasjen e politikanit të opozitës serbe, Oliver Ivanoviç.

Sllobodan Teshiç, tregtar i njohur armësh nga Serbia akuzohet për ryshfet ndaj kryeprokurorit të një vendi tjetër.

Edhe Teshiç është në listën e sanksioneve amerikane që nga viti 2017 e më 2019-ën, kësaj liste iu shtuan nëntë bashkëpunëtorë të tij. Tregtia e paligjshme e armëve me disa shtete, si dhe dhënia e ryshfetit çuan në sanksionet ndaj tyre.  Për më tepër, Teshiç ka qenë në listën e ndalimit të udhëtimit të Kombeve të Bashkuara nga viti 2003 deri më 2013-ën, për shkak të shkeljes së sanksioneve të OKB-së për eksportet e armëve me Liberinë. Emrin e tij, mediat e lidhën me kompaninë private të Beogradit “Valir”, që dërgoi 11.5 tonë armë në Bangladesh. Ato ishin blerë nga kompania shtetërore “Krushik”.

Po ashtu, në mesin e pesë të huajve të sanksionuar për vepra kundër korrupsionit janë Ilan Shor, kryetar i partisë Shor në Moldavi, i dyshuar për përfshirje në skandalin e mashtrimit në një bankë moldave në vitin 2014, si dhe Vladimir Plahotniuç, biznesmen e ish-politikan i arratisur nga drejtësia moldave, që e akuzon për korrupsion.

Ministri i Jashtëm, James Cleverly, sot njoftoi për masat e ndërmarra si pjesë e një vale të re sanksionesh që synojnë individët e korruptuar dhe ata që shkelin e abuzojnë me të drejtat e njeriut, si dhe autorët e dhunës seksuale në konflikte. Sanksionet përfshijnë objektiva nga 11 vende në 7 regjime sanksionesh, më masivet që Britania e Madhe ka grumbulluar ndonjëherë në një paketë.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65768 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE