Rama në Stamboll: Erdogan, rol kyç në stabilitetin e Europës!
Këtë të premte kryeministri Rama ishte në Stamboll ku mori pjesë në forumin botëror TRT dhe u takua me presidentin turk Erdogan.
Nga Stambolli ku mori pjesë në forumin botëror TRT, kryeministri Rama deklaroi se agresioni rus ndaj Ukrainës është një sulm ndaj të gjithë kontinentit.
Për Ramën është e rëndësishme një platformë europiane për t’u përballur pasojat që vijnë nga lufta.
“Dua te ndaj me ju bindjen time se sulmi kundër Ukrainës nuk ka të bëjë vetëm me Ukrainën. Është një sulm kundër të gjithë kontinentit euro-atlantik. Kriza e çmimit të energjisë dhe inflacioni i luftës janë armët që synojnë të gjunjëzojnë pjesën tjetër të Europës e të ndryshojnë arkitekturën e sigurisë së kontinentit tonë”, tha Rama.
Kreu i qeverisë shqiptare vlerësoi Turqinë dhe veçanërisht presidentin e saj për stabilitetin e Europës.
“Pa Rexhep Taip Erdogan muret e Europës nuk do të kishin qëndruar në këmbë. Turqia është kyç për stabilitetin e Europës dhe po të përfytyronim për një moment të vetëm të kundërtën mendojeni se sa frikshëm do të binte Europa nëse dera e saj e pasme nuk do të ruhej kështu nga Turqia”, u shpreh Rama.
Në këtë forum kryeministri Rama zhvilloi një takim me presidentin turk Erdogan ku diskutoi mbi ecurinë e marrëdhënieve bilaterale, situatën në rajon, Komunitetin e Ri Politik Europian, si edhe luftën në Ukrainë.