Erdogan: Në 2023-shin kandidoj për mandatin e fundit në pushtet si president
Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan sinjalizoi sot se kandidatura e tij në zgjedhjet e vitit që vjen do të jetë e fundit.
Erdogan njoftoi se “do të dorëzojmë flamurin e bekuar te rinia” dhe se në zgjedhjet e 2023 “kërkojmë për herë të fundit mbështetjen”.
Në fjalimin e tij në Samsun në veri të Turqisë, mes të tjerash Erdogan tha: “Në 2023 nisim ndërtimin e shekullit të Tuqisë me forcën e mbështetjes së vendit, për herë të fundit”.
Partia AKP e Erdoğan kërkon të ruajë pushtetin që prej vitit 2003 megjithë trazirat e problemeve ekonomike që perceptohet gjerësisht si ‘keqmenaxhim’.
Rënia e vlerës së lirës vitet e fundit ka trazuar shumë qytetarë në Turqi që kanë parë të bien ndjeshëm standardet e tyre të jetesës.
Në fjalimin e të shtunës Erdoğan shtoi se partia e tij e Drejtësisë e Zhvillimit e “ka bërë Turqinë një lojtar çelës në skenën botërore”.
“Në këto 20 vjet kemi zgjidhur probleme shumë më të vjetra, kemi ndërtuar infrastrukturë që e kanë zili dhe vendet e zhvilluara”.
“Të gjithë thonë se Turqia duket si një vend tjetër, dhe çdo krizë globale ka bërë të kuptohet më mirë fuqia e vendit tonë”, tha Erdogan.
Por në tetor instituti shtetëror turk i statistikave tha se inflacioni në vend ishte në më të lartën e 24 viteve të fundit.
Ndërsa rënia e vlerës së lirës turke ka shtuar kostot e mallrave të importuara, duke dëmtuar fuqinë e shpenzimit të bizneseve dhe qytetarëve turkë, shkruan rrjeti Euronews.