Sot ‘Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut’, Begaj: Kujtesë që duhet të dhe mbrojmë të drejtat e çdo qenie njerëzore!

vovalbania December 10, 2022 0 koment 3 Mund të lexoni në minuta.
Sot ‘Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut’, Begaj: Kujtesë që duhet të dhe mbrojmë të drejtat e çdo qenie njerëzore!

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut. Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut është një deklaratë e miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara më 10 dhjetor 1948 në Palais de Chaillot, Paris. Deklarata lindi si përgjigje ndaj tmerreve të Luftës së Dytë Botërore dhe përfaqëson përpjekjen e parë globale për të artikuluar mbrojtjen e atyre të drejtave që shumë njerëz besonin se ishin të drejta themelore që i takojnë të gjitha qenieve njerëzore.

Përmes një postimi në Facebook, Presidenti Bajram Begaj përkujton këtë ditë duke thënë se janë dashur shumë përpjekje e janë sakrifikuar shumë jetë derisa është mbërritur te Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut. Po ashtu përmend thënien e Nënë Terezës e cila thoshte: “Të Drejtat e Njeriut nuk janë një privilegj i dhënë nga qeveria, ato janë të drejtat e çdo qenie njerëzore nga virtytet e njerëzimit të tij”. Begaj thotë se kjo është ditë kujtese dhe mesazhi që të gjithë kemi përgjegjësi për të garantuar dhe mbrojtur të drejtat e çdo qenie njerëzore.

“Ndërsa Bota pas fitores së antifashizmit mbi fashizmin dhe të popujve mbi tiraninë vuante ende prej dhimbjeve të plagëve të Luftës së Dytë Botërore, më 10 dhjetor të vitit 1948, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara shpalli Deklaratën Universale pёr të Drejtat e Njeriut.

OKB i dha botës jo thjesht e vetëm një dokument parimesh, por mbi të gjitha idealin e përbashkёt, të cilin duhet ta mbërrijnë të gjithë popujt dhe të gjitha kombet. Njohja e dinjitetit të lindur, të të drejtave të barabarta dhe të patjetërsueshme të të gjithë anëtarëve të familjes njerëzore është themel i lirisë, drejtësisë dhe paqes në botë.

Duke e përkujtuar sot Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, ne sjellim në vëmendjen e gjithkujt faktin se sa luftë është dashur, sa shumë përpjekje dhe privime janë lypur dhe se sa jetë njerëzore janë sakrifikuar për të mbërritur deri tek Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut, e cila është dokumenti i parë ndërkombëtar, nga i cili rrjedh detyrimi për respektimin e dinjitetit të lindur dhe barazisë për çdo njeri, nga ku buron edhe e drejta e jetës, lirisë, sigurisë personale dhe barazisë para ligjit.

Megjithatë, miliona njerëz në botë, sot nuk i gëzojnë të drejtat universale për shkak të një sëre pabarazish dhe padrejtësish të sistemeve politike, për shkak të luftërave, të gjuhës së urrejtjes, diskriminimit, dhunës dhe mungesës së tolerancës ndaj dallimeve.

Ne shqiptarët e dimë mirë se çfarë është gjuha e urrejtjes, e diskriminimit dhe e dhunës, prandaj apelojmë me forcë, me qëllim që gjithësecili të ndjehet i detyruar për respektimin e të drejtave të të gjithë njerëzve, pa dallim të gjinisë, racës, fesë, bindjes politike, orientimit seksual, prejardhjes kombëtare apo sociale, statusit shoqëror apo çdo statusi tjetër.

Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut, është ndërkaq edhe një ditë kujtese dhe mesazhi që të gjithë kemi përgjegjësi për të garantuar dhe mbrojtur të drejtat e çdo qenie njerëzore.

Sepse çështja e të drejtave të njeriut nuk mund të jetë çështje e një dite dhe as vetëm e një apo e disa institucioneve. Ajo është dhe mbetet çështje e gjithë shoqërisë, sepse siç ka thënë shqiptarja më e madhe në botë, e shenjta Nënë Tereza:

“Të Drejtat e Njeriut nuk janë një privilegj i dhënë nga qeveria, ato janë të drejtat e çdo qenie njerëzore nga virtytet e njerëzimit të tij”” – shkruan Begaj.

Ambasada amerikane në Shqipëri ka reaguar për Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut duke shkruar se të gjithë  duhet të angazhohen për të ndërtuar një botë ku respektohen të drejtat e njeriut të të gjithëve.

“Sot, në Ditën e të Drejtave të Njeriut, ne festojmë trashëgiminë e Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut dhe riangazhohemi për të ndërtuar një botë ku të drejtat e njeriut të të gjithëve respektohen kudo.

Që nga miratimi i saj më 10 dhjetor 1948, UDHR ka shërbyer si teksti themelor që ruan të drejtat e njeriut dhe liritë themelore të qenësishme për të gjithë individët, duke frymëzuar miratimin e më shumë se 70 traktateve të të drejtave të njeriut”, shkruan në Twitter ambasada amerikane në Shqipëri.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65858 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE