Franca dhe Maroku në gjysmëfinalen e Kupës së Botës, 74 të arrestuar në Paris!
Franca dhe Maroku në gjysmëfinalen e Kupës së Botës në Katar 2022, festime dhe arrestime në Paris. Tensioni është në rritje para ndeshjes së datës 14 dhjetor. Në kryeqytetin francez, policia u detyrua të përdorte gaz lotsjellës dhe granata shurdhuese për të shpërndarë turmat. 74 vetë përfunduan në pranga. Trazira edhe në Itali. Në Milano, një i ri maroken u plagos rëndë pasi gjatë festimeve në rrugë u godit me thikë nga një shtetas, për të cilin u tha se është nga një vend i Europës Lindore.
Në ndeshjet e luajtura dje, Maroku dërgoi në shtëpi Portugalinë, ndërsa Franca, Anglinë. Imazhi simbol i humbjes së Portugalisë është ai i njeriut simbol të skuadrës, Ronaldos, i cili u pa të largohej në lot. CR7 iu drejtua dhomave të zhveshjes, pa e fshehur dhimbjen e madhe për humbjen në atë që ishte edhe ndeshja e fundit e tij në një Botëror.
Ndërkohë sa i përket Francës, Giroud rivendosi firmën në rezultatin vendimtar 2-1 kundër Anglisë. Duke e ndarë meritën e suksesit me shokët e ekipit, sulmuesi u shpreh:
Jam krenar për skuadrën! Ishte ndeshje e madhe!
Fitorja erdhi në përfundim të një sfide të luajtur:
E dinimin vështirësinë e ndeshjes dhe cilësinë e anglezëve, por gjithnjë u përpoqëm të përgjigjeshim. Tani shpresojmë të shkojmë sa më tej. Përballja ishte e jashtëzakonshme, në mbrojtje vepruam mirë dhe më kujton pak sfidën me Belgjikën në vitin 2018. Pastaj Griezmann më dha një super assist.
Trajneri Deschamps:
Zhvilluam një ndeshje shumë të mirë kundër një kundërshtari të shkëlqyer. Edhe një herë tjetër u treguam të përgatitur. Kalimi në gjysmëfinale është një tjetër arritje e mrekullueshme për të gjithë lojtarët. Ka një mentalitet të mirë në këtë grup dhe kjo shihet.
Në gjysmëfinale, Francën e pret Maroku që bëri historinë dhe tekniku Deschamps shprehet:
Do të përballemi me shumë seriozitet. Ishte surpriza më e madhe e Kupës së Botës dhe Maroku meriton respekt.