Situata e tensionuar në veriun e Kosovës, shefi i NATO-s, Stoltenberg: Jemi në gatishmëri!

vovalbania December 13, 2022 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Situata e tensionuar në veriun e Kosovës, shefi i NATO-s, Stoltenberg: Jemi në gatishmëri!

“NATO dhe Bashkimi Europian po bashkëpunojnë ngushtë lidhur me tensionet e krijuara në Kosovë”. Kështu deklaroi sekretari i përgjithshëm i Aleancës Veri-Atlantike, Jens Stoltenberg në një intervistë për stacionin televiziv francez, France 24.

NATO është shumë e fokusuar në Kosovë e në Ballkanin Perëndimor. Ne kemi një histori të gjatë atje, pasi ndihmuam në ndalimin e dy luftërave etnike. Fillimisht në Bosnje-Hercegovinë dhe më vonë në Kosovë. Natyrisht, ne jemi ende të pranishëm atje. Trupat e KFOR-it numërojnë mbi 4 mijë ushtarë dhe luajnë rol kyç në stabilizimin e situatës.

Trupat tona janë të afta e në gatishmëri. Ata po monitorojnë me kujdes situatën. NATO dhe Bashkimi Europian bashkëpunojnë shumë ngushtë mes tyre dhe mesazhi im për të dyja palët është që të përmbahen nga përshkallëzimi e retorika provokuese. Unë bëj thirrje për çtensionimin e situatës në Kosovë!

Ndërkohë, vazhdon e brishtë situata e sigurisë në veri të Kosovës. Policia konfirmon se mbeten në të njëjtat vende barrikadat e vëna nga serbët duke bllokuar rrugët për në pikat kufitare me Serbinë, në Jarinjë e Bërnjak. Vendosja e tyre pason arrestimin e ish-policit serb, Dejan Pantiç, i dyshuar për sulmin kundër zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Dje, Gjykata Themelore në Prishtinë i caktoi masën e sigurisë, një muaj paraburgim.

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, tha se mënyra e vetme për arritjen e paqes së qëndrueshme mes Prishtinës dhe Beogradit është që palët të zgjidhin çështjet e tyre “përmes dialogut e të arrijnë një zgjidhje që respekton të drejtat e të gjitha komuniteteve”.

Eshtë e rëndësishme të shmanget çdo përshkallëzim i ri dhe që çështjet të zgjidhen në mënyrë paqësore, pasi dhuna nuk ka vend në rajon!

Sot në Prishtinë ora 17:30, kryeministri Albin Kurti takohet me të dërguarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe të dërguarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak. Në fokus, kapërcimi i tensioneve në veri. Kurti u takua edhe me Escobarin e sipas zyrës së tij, “palët biseduan për nevojën e heqjes së menjëhershme të barrikadave në veri”.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65805 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE