2022 vit i ‘errët’, “Reporterët pa Kufij”: Gazetarët pre e rrëmbimeve, vrasjeve e persekutimeve!
Luftë, dhunë dhe censurë. Viti 2022 ka qenë katastrofik për lirinë e informimit. Sipas raportit vjetor të shoqatës “Reporterët pa Kufij”, deri më 1 dhjetor të këtij viti, 65 gazetarë janë rrëmbyer në mbarë botën, 49 janë raportuar të humbur dhe 57 janë vrarë, pa harruar kuotën rekord prej 533 reporterësh që ndodhen në burgje për shkak të profesionit të tyre.
Situata është më serioze në Azi, me Kinën, Mianmarin dhe Iranin që janë në krye të listës së vendeve me më shumë gazetarë të burgosur. Ndërkohë, një vend evropian si Bjellorusia zë vendin e pestë.
Gratë përbëjnë rreth 14.6 për qind të totalit të gazetarëve të burgosur. Bëhet fjalë për një rritje me 30% që prej 2021-shit.
Harta ndryshon shumë kur bëhet fjalë për vendet më të rrezikshme për të ushtruar profesionin. Thuajse gjysma e 57 gazetarëve të vrarë deri më 1 dhjetor punonin në vendet e Amerikës Latine.
Me 11 vdekje, Meksika udhëheq listën e zezë për një tjetër vit, e ndjekur nga shteti në luftë i Ukrainës dhe Haiti. Lista e 5 të parëve mbyllet me Sirinë dhe Jemenin.
Krahas presionit të krimit të organizuar dhe regjimeve autoritare është edhe pasiguria e praktikës së profesionit, që i hap rrugë “grabitqarëve të lirisë së shtypit” të veprojnë lirshëm ndaj gazetarëve të pavarur.