Vazhdojnë tensionet në veri, por sot Kosova firmos aplikimin për anëtarësimin në BE!
Në mesin e tensioneve në veri, me serbët që refuzojnë largimin e barrikadave, duke bllokuar rrugët për në pikëkalimet kufitare me Serbinë, në Jarinjë e Bërnjak, sot Kosova nënshkruan aplikimin për anëtarësimin e Kosovës në Bashkim Europian. Ceremonia nis në orën 11:00, ndërsa firmat do t’i hedhin drejtuesit më të lartë të shtetit, presidentja Vjosa Osmani, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca e kryeministri Albin Kurti.
Një ditë më parë, në mbledhjen e qeverisë, Kurti deklaroi:
Siç e dini, ne jemi vendi i fundit në Ballkanin Perëndimor që po aplikojmë për Bashkimin Europian edhe pse jemi të parët në këtë rajon për sundimin e ligjit, lirisë dhe demokracisë. Ka ardhur koha që statusin potencial kandidat, që na është njohur shumë kohë më parë, zyrtarisht ta kthejmë në status kandidat, duke kaluar në një fazë të re të marrëdhënieve me Bashkimin Europian. Bashkimi Europian është vend i paqes, sigurisë, barazisë e prosperitetit, ndaj edhe Kosova e ka vendin natyrshëm në këtë shtëpi të përbashkët, si një vend paqedashës e demokratik.
Deri tani, Kosova ka vetëm një marrëveshje me BE-në, përkatësisht Marrëveshjen e Stabilizim-Asoci’imit. Nga 27 shtetet anëtare të Bllokut, pesë prej tyre ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës dhe ato janë: Spanja, Rumania, Qipro, Greqia e Sllovakia. Në rajonin e Ballkanit Perëndimor, Serbia e Mali i Zi janë dy shtetet që kanë bërë më shumë përparim drejt anëtarësimit në Bllok, pasi deri tani kanë hapur disa kapituj në bisedimet për anëtarësim. Ndërkohë, Shqipëria e Maqedonia e Veriut, këtë vit nisën procesin e bisedimeve.
Siç dihet, ditët e fundit Kosova po kalon tensione në veri. Vendosja e barrikadave nga serbët pason arrestimin e ish-policit serb, Dejan Pantiç, i dyshuar për sulmin kundër zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Dy ditë më parë, Gjykata Themelore në Prishtinë i caktoi masën e sigurisë, një muaj paraburgim.