Stuhi e fuqishme dimërore në SHBA, tre viktima/Dëbora arrin në 1.2 metra!
Të paktën tre persona humbën jetën, pasi një stuhi e fuqishme dimërore po lëviz në lindje të Shteteve të Bashkuara, duke shkaktuar tornado në shtetet jugore dhe mbuluar me borë pjesën tjetër të vendit. Një djalë 8-vjeç e nëna e tij 30-vjeçe ndërruan jetë në Luiziana, kur shtëpia e tyre u shkatërrua nga një tornado. Në të njëjtin shtet e për të njëjtën arsye, edhe një grua 54-vjeçe gjeti vdekjen.
Stuhi të mëdha kanë goditur edhe pjesën qendrore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke shkaktuar mbyllje të rrugëve e shkollave, pasi shumë shtete raportojnë se bora arriin deri në 1.2 metra lartësi. Rreth 3 mijë e 300 fluturime u shtynë dhe mbi 150 u anuluan.
Rreth 500 mijë persona në katër shtete: Nebraska, Uajomi, Dakota e Jugut dhe Minesota u paralajmëruan se do të përballen me stuhi bore, teksa erërat e fuqishme dhe reshjet e borës kanë vështirësuar udhëtimin. Po ashtu, miliona banorë të tjerë në mbarë Amerikën nuk u kursyen nga stuhi të fuqishme bore. Krahas Luizianës, Misisipit, Alabamës do të goditen edhe pjesë të Floridës.
Të paktën 18 tornado goditën Teksasin, Luizianën, Oklahomën e Misisipin, duke shkaktuar dëme materiale. Si rezultat i motit të keq, në Luiziana u shpall gjendja e jashtëzakonshme. Parashikimet janë që pasojat të vazhdojnë edhe ditët e ardhshme. Shumica e shteteve në Amerikë do të ndjejnë ndikimin e stuhive, me temperatura të ulëta e reshje bore. Përveç shteteve amerikane, edhe Kanadaja përballet me stuhi bore dhe erëra të fuqishme.