Banka e Shqipërisë zgjat me një vit marrëveshjen e likuiditetit me Bankën Qendrore Europiane!

vovalbania December 16, 2022 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Banka e Shqipërisë zgjat me një vit marrëveshjen e likuiditetit me Bankën Qendrore Europiane!

Banka e Shqipërisë sot njoftoi zgjatjen me një tjetër vit të marrëveshjes së saj të likuiditetit me Bankën Qendrore Europiane (BQE). Marrëveshja e mëparshme përfundonte në janar të vitit 2023, ndërsa pas përtëritjes ajo do të jetë e vlefshme deri në janar të 2024-ës. Linja në fjalë e kredisë, për herë të parë u miratua në vitin 2020, pas shpërthimit të pandemisë dhe kishte si qëllim sigurimin e likuiditetit në Euro për institucionet financiare të vendit, nëpërmjet bankës qendrore.

Pavarësisht se deri tani kjo marrëveshje huaje e kolateralizuar (REPO) nuk ka qenë e nevojshme të përdoret, Banka e Shqipërisë vlerëson se ky instrument rezervë mbetet i dobishëm në kuadër të pasigurive të shtuara në ekonominë globale dhe tregjet financiare e që vijnë nga vazhdimi i luftës së Rusisë në Ukrainë.

Marrëveshja parashikon që Banka e Shqipërisë të mund të sigurojë financime për nevoja likuiditeti nga BQE deri në vlerën e 400 milion eurove, në këmbim të një kolaterali të përshtatshëm në Euro. Zakonisht, kolaterale të këtij lloji janë titujt e borxhit të qeverive apo institucioneve me vlerësim sovran sipër një niveli të caktuar, të pranuar nga BQE-ja. Banka e Shqipërisë disponon sasi të konsiderueshme të instrumenteve të tilla, si pjesë e portofolit të rezervës valutore.

Gjithashtu, BQE ka vendosur të shtrijë linjat e saj të përkohshme të këtij lloji edhe me bankat qendrore të Andorrës, Hungarisë, Maqedonisë së Veriut, Rumanisë e San Marinos. Deri para vitit 2020, Banka e Shqipërisë dhe bankat e tjera të rajonit nuk kishin në dispozicion mekanizma të sigurimit të likuiditetit nga BQE-ja. Instrumenti EUREP ishte mekanizmi i parë i këtij lloji.

Sektori bankar në Shqipëri ka rreth 6.2 miliardë depozita në Euro, ndërsa rezerva valutore e bankës qendrore ka vlerën e pothuajse 5 miliardë eurove. Megjithatë, pasiguria e shkaktuar nga faktorë me impakt global, si pandemia koronavirus apo lufta në Ukrainë, e ka shtyrë Bankën e Shqipërisë të parashikojë edhe plane rezervë, si linja EUREP me BQE-në.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65211 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE