Sot zgjidhet kreu i SPAK-ut, prezantimi i platformave nis me kandidatin Xholi/Amerikanët monitorim procesit!
Adnan Xholi, njëri prej tre kandidatëve në garë për kreun e SPAK-ut për një mandat 3-vjeçar ishte i pari që në sallën ku gjenden edhe përfaqësues të ambasadës amerikane nisi prezantimin e platformës.
Kam aftësitë e duhura për të drejtuar një nga institucionet më të rëndësishme sikurse është SPAK-u. Trupa e prokurorëve të SPAK-ut është trupa më profesionale e prokurorëve të Republikës së Shqipërisë e jam krenar që punoj me ta dhe shkëmbej informacione në çdo moment.
Trupa e prokurorëve të SPAK-ut duhet të fillojë me të tjerë hapa në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, për të fuqizuar punën e kësaj strukture. Gjithmonë duhet të bazohemi në prova të pakundërshtueshme pranë gjykatës.
Vij këtu si kandidati që kam 24 vite punë në prokurori, eksperiencë pa shkëputje. Drejtuesi duhet të marrë përgjegjësitë duke vënë në eficencë të gjithë mekanizmat ligjorë, për të dhënë vëmendjen e duhur për çështjet e korrupsionit te zyrtarët e lartë dhe te krimi i organizuar.
Në çështje sensitive është detyrë e drejtuesit të marrë përsipër që të përfaqësojë akuzën. Çdo prokuror do të ketë mbrojtjen time nëse sulmohet.
I pyetur nëse do të arrestojë zyrtarë të lartë, Xholi tha:
Nëse do të kemi prova të tilla, të cilat vënë para dyshimeve se një zyrtar i lartë është i përfshirë në një aktivitet kriminal, nuk do i shpëtojë kthetrave të BKH-së, po jo me opinione dhe fjalë boshe, duhet të mblidhen provat e të bëhen hetime sa më cilësore.
Struktura u krijua falë vullnetit politik, pikërisht për të goditur korrupsionin e niveleve të larta dhe krimin e organizuar. Jemi një strukturë që paguhemi po aq sa gjithë të tjerët. Shtesat në vjetërsi apo shtesat që ne kemi hequr dorë nga privatësia, rrisin këtë pagë.
Pas Xholit, prezantimi i platformës vijon me kandidatin tjetër, Altin Dumani dhe i treti do të jetë Edvin Kondili. Njëri nga tre emrat do të zëvendësojë Arben Krajën, i cili iu uroi suksese kandidatëve. Për shefin e ri të SPAK-ut, vendos me votë Këshilli i Lartë i Prokurorisë, KLP.