Atentat me armë në Athinë, vriten dy shqiptarë/Plagoset një greke!
Dy shqiptarë të vrarë dhe një shtetase greke e plagosur! Ky është bilanci i një atentati me armë zjarri në një lokal në lagjen Nea Zmirni të kryeqytetit të Greqisë, Athinë.
Sipas burimeve nga vendngjarja, të cituar nga mediat në vendin fqinj, e plagosura po kurohet në spitalin Evangjelizmos dhe është jashtë rrezikut për jetën.
Autori i dyshuar hyri në lokal e qëlloi mbi tre personat që ndodheshin në mjediset e brendshme. Njëri prej shqiptarëve gjeti vdekjen e menjëhershme, ndërsa një tjetër ndërroi jetë në spitalin e Kryqit të Kuq, duke mos iu mbijetuar plagëve të shumta.
Dëshmitarë okularë bënë përshkrimin e autorit, si një person i maskuar dhe i armatosur. Në zonë u gjetën disa gëzhoja të kalibrit 9 mm, ndërsa paraprakisht u mësua se viktima ka pasur precedentë penalë.
Krahas ekzekutorit, dyshohet se në atentat mund të kenë marrë pjesë edhe dy të tjerë, bashkëpunëtorë të tij. Policia greke po heton zbardhjen e rrethanave të krimit të dyfishtë, si edhe për identifikimin e kapjen e autorëve.