Fitore e merituar, mediat sportive bashkohen në vlerësimet për Argjentinën e Messit!
Gazetat sportive dhe portalet e lajmeve në mbarë globin kanë lavdëruar me nota të larta Lionel Messin dhe Argjentinën, pasi dje siguruan titullin e Kupës së Botës në Katar me fitoren e mbrëmshme me anë të penalltive (4-2) kundër Francës. Gazeta argjentinase “La Nacion”:
Argjentina është kampione e botës! Argjentina është kampione e botës! Duhet ta përsërisim për ta besuar!
Ekstaza është e kuptueshme në Argjentinën ku futbolli bashkoi njerëzit në festime të gjata e bëri që për disa momente të lumtura të harrohen problemet e një vendi në krizë ekonomike.
E përditshmja sportive “Olé” shkruan se “Tani, bota është një vend më i drejtë” dhe vë në dukje se “Lionel Messi u bë lojtari më i mirë në botë”. Po ashtu, një ndjesë për futbollistin e madh argjentinas, Diego Armando Maradona, i cili udhëhoqi skuadrën e tij drejt fitores në Kupën e Botës, në vitin 1986.
Na fal, Diego!
Po mediat rivale? Në Francë, “RMC Sport” nuk iu shmang elozheve dhe përshkruan një “Messi e Albiceleste në krye të botës, pavarësisht nga një Francë heroike dhe tregolëshi i Mbappesë”.
“Le Parisien” nënvizon se mbrëmë, Franca ishte “afër një mrekullie”, por “u mohua ylli i tretë”.
“L’Equipe” theksoi se “finalja, ndoshta ishte më e bukura në histori”.
Tabloidi britanik “The Sun” e vlerësoi lojën si “finalen më të mirë ndonjëherë”, ndërsa gazeta spanjolle “Marca” përgëzoi Messin:
Lionel Messi, tani e ke trofeun tënd. E meritove!
Në Brazil, ku shumë shpresonin për një përballje gjysmëfinale kundër rivalëve të Argjentinës, portali i lajmeve GloboEsporte.com komentoi:
Një lojë për t’u kthyer në një libër ose një film. Për historinë e Messit (dhe Mbappesë).
Skuadra braziliane u eliminua në çerekfinale nga Kroacia, e cila më pas u mposht nga kampionia aktuale e botës, Argjentina, në gjysmëfinale.