12 milionë vizitorë në Shqipëri, rekord udhëtarësh këtë vit!
Deri në muajin nëntor në vendin tonë kanë ardhur 12 milionë njerëz. Shifra tregon se çdo muaj kanë hyrë mesatarisht në Shqipëri mbi 1 mln qytetarë shqiptarë dhe të huaj.
Në muajin nëntor në Shqipëri kanë ardhur 809 mijë njerëz nga jashtë. Ky fluks vizitorësh është ndjeshëm më i madh se fluksi i nëntorit të kaluar, kur hynë 549 mijë vizitorë. Edhe për periudhën 11 mujore, del se viti 2022 ka tejkaluar dukshëm vitin e kaluar. Shifra tregon se deri në fund të nëntorit rritja është 35%, me 12 milionë vizitorë.
Në dokumentin e Institutit të Statistikave del se nga rrugët ajrore fluksi i udhëtarëve është rritur me 75%, ndërsa nga deti dhe pikat kufitare rritja është 45 dhe 25%.
Shtetasit e vendeve fqinje si Kosova, Mali i Zi e Maqedonia e Veriut përbëjnë pjesën më të madhe të vizitorëve, ndërkohë që këtë vit ka pasur një trend në rritje të qarkullimit deri në 4 herë më shumë se vitin a kaluar nga Spanja dhe Anglia.
Plazhet, cmimet dhe dalja e plotë nga pandemia kanë qenë arsye të forta që kanë nxitur emigrantët shqiptarë dhe të të huajt të vijnë këtë vit në vendin tonë.