Po vijnë emigrantët, porti i Durrësit, i pari që pret fluksin nga Italia
Në prag të Krishtlindjes, mijëra emigrantë që jetojnë jashtë vendit po kthehen në atdhe për të kaluar festat e fundvitit pranë të afërmve të tyre.
Porti detar i Durrësit po përballet me një fluks në rritje të udhëtarëve që mbërrijnë me tragete nga Italia. Dy ditët e fundit nga kjo pikë e kalimit kufitar, më e madhja në vend për transportin detar, kanë hyrë në Shqipëri mbi 6000 persona dhe 1400 mjete.
Për të përballuar fluksin është shtuar numri i lundrimeve mes dy brigjeve të Adriatikut dhe numri i sporteleve nga ana e policisë.
Dëshira për të qenë pranë familjeve është e madhe, po shumë prej tyre pranojnë se janë detyruar të jetojnë larg për të siguruar punë dhe të ardhura më të mira.
Kjo e premte sjell në port 5 tragete, 4 prej të cilave nga Bari dhe një nga Ankona. Sipas kompanive të lundrimit, këtë fundviti ka një rritje me të paktën 15% të numrit të atyre që udhëtojnë me tragete drejt Shqipërisë, krahasuar me fundvitin e 2018-s, periudha para tërmetit dhe pandemisë të cilat ndikuan në rënien e lëvizjes së njerëzve për festa.
Fluksi i lëvizjeve do të vijojë deri në mesin e janarit, kur të gjithë ata që erdhën do të kthehen në vendet e BE-së ku jetojnë.