Rritet me 4% ekonomia në tremujorin e tretë të vitit 2022!
Prodhimi i Brendshëm Bruto ka përshpejtuar ritmet e rritjes në tremujorin e tretë të vitit, pas ngadalësimit të ndjeshëm në të dytin, duke u ndikuar pozitivisht nga turizmi që nxiti shërbimet, teksa të huajt erdhën në Shqipëri, si dhe rikthimi i projekteve të ndërtimit, pasi në tremujorin e dytë ndërtuesit u stepën nga çmimet e larta.
Sipas INSTAT-it, në tremujorin e tretë të vitit 2022, Produkti i Brendshëm Bruto vlerësohet me rritje prej 4.02%, kundrejt tremujorit të tretë të 2021-shit. Në tremujorin e dytë, rritja me bazë vjetore ishte ngadalësuar ndjeshëm në 2.65%. Sipas INSTAT-it, në tremujorin e tretë kontribut pozitiv kanë dhënë degët: Tregti, Transport, Akomodim dhe Shërbim ushqimor me +1.94 pikë përqindje, Ndërtimi me 0.99 pikë përqindje, Aktivitete të Pasurive të Paluajtshme me +0.81 pikë përqindje, Arte, Argëtim dhe Çlodhje; aktivitete të tjera shërbimi me 0.65 pikë përqindje, Informacioni dhe Komunikacioni me +0.19 pikë përqindje, Aktivitete Financiare dhe të Sigurimit me +0.18 pikë përqindje, Bujqësi, Pyje dhe Peshkim me +0.05 pikë përqindje, Aktivitete profesionale dhe Shërbime Administrative me +0.03 pikë përqindje. Negativisht kontribuan aktivitetet: Administrata Publike, Arsimi dhe Shëndetësia me -0.38 pikë përqindje, Industri, Energji dhe Uji me -0.20 pikë përqindje. Taksat Neto mbi produktet kontribuan negativisht me -0.22 pikë përqindje.
Ndërtimi dhe pasuritë e paluajtshme me rritje dy shifrore
Për tremujorin e tretë të vitit 2022, krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2021, degët kryesore të ekonomisë, shfaqen si më poshtë:
Aktiviteti i Bujqësisë, Pyjeve dhe Peshkimit pati një rritje me 0.22%. Aktiviteti i Industrisë, Energjisë dhe Ujit pati një rënie me 1.38%. Aktiviteti i Ndërtimit pati një rritje me 10.66%. Grupi i aktiviteteve Tregti, Transport, Akomodim dhe Shërbim Ushqimor pati një rritje prej 9.94%.
Grupi i aktiviteteve Informacioni dhe Komunikacioni u shfaq me rritje prej 6.54%. Aktiviteti Financiar dhe i Sigurimit ka shënuar një rritje prej 7.93%. Aktiviteti i Pasurive të Paluajtshme ka shënuar një rritje prej 13.84%. Grupi i Aktiviteteve Profesionale dhe Shërbime Administrative u shfaq me një rritje prej 0.53%. Grupi i aktiviteteve të Administratës Publike, Arsimit dhe Shëndetësisë u shfaq me rënie prej 3.33 %. Grupi i aktiviteteve Arte, Argëtim dhe Çlodhje, Aktivitete të tjera shërbimi pati një rritje me 37.50%. Taksat Neto mbi produktet u ulën me 1.85%.
Konsumi i popullatës u rrit me 8.1%
Rritja e numrit të turistëve në vend duket se ka ndikuar pozitivisht dhe në shtimin e konsumit të popullatës. Sipas INSTAT-it, komponentët kryesorë të PBB-së me metodën e shpenzimeve, për tremujorin e tretë të vitit 2022, krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2021, shfaqen si më poshtë:
Konsumi final i popullatës, i cili përbën peshën kryesore të shpenzimeve në ekonomi u rrit me 8.09%. Konsumi final i qeverisë pësoi rënie me 3.55%. Komponenti i Formimit bruto të kapitalit fiks pësoi rritje me 7.12%. Eksportet e mallrave dhe shërbimeve u rritën me 0.87%, ndërsa Importet e mallrave dhe shërbimeve u rritën me 16.31%.