Solidaritet me më të varfërit/Nisma e Fondacionit “Dritan Hoxha” dhe Top Channel!
Këtë prag Krishtlindjeje, Fondacioni “Dritan Hoxha” në bashkëpunim me Top Channel kanë ndërmarrë një nismë gjithëpërfshirëse në mbarë Shqipërinë, për t’iu ardhur në ndihmë familjeve që janë më në nevojë.
Në 11 qytete të vendit iu dorëzuan pako ushqimore familjeve që jetojnë në varfëri ekstreme. Ky është realiteti i dhimbshëm për shumë familje në Shqipëri që edhe pse na ndajnë pak ditë nga viti 2023, ato vazhdojnë të jetojnë në kushte të mjerueshme. Fondacioni “Dritan Hoxha” shkoi pranë tyre duke iu dhënë mundësinë që dhe ata të gëzojnë sadopak këto festa.
Sidorela Mema është 23-vjeçe dhe mes vështirësive ekonomike po rrit e vetme tre fëmijë të moshave 1; 4 dhe 5-vjeç.
Ndihma edhe për familjen e Bledar Leshës në Shkodër që është përmbytur disa herë nga shirat. Varfëria në të cilën jetojnë, e rëndon edhe më shumë gjendjen shëndetësore të familjarëve të sëmurë, ndërsa atij ia kanë refuzuar kempin.
Një shtëpi prej plastmasi, ky është realiteti i kësaj familje në Bulqizë. Alma është e detyruar që dy fëmijët e saj t’i rrisë në kushte të mjerueshme, duke e kaluar natën në një dhomë ku shihet qielli, ndërsa jemi në dimër.
Prindërit nuk arrijnë t’i mundësojnë çdo gjë fëmijëve ndaj dëshirat ata i hedhin në letër, të cilën e vendosin në pemë, me shpresën se do t’u plotësohet.
Fondacioni “Dritan Hoxha” solli pak shpresë për këto familje. Që nga viti 2010 kur u krijua, fondacioni që mban emrin e themeluesit të Top Media Group, Dritan Hoxha, krahas përmbushjes së misionit të vet në fushat e medias, artit e kulturës, ka kontribuar edhe në çështje sociale që prekin familje apo grupe vulnerabël në nevojë./ Top Channel