Besimtarët e krishterë festojnë Krishtlindjen, mesazhe dhe urime!

vovalbania December 25, 2022 0 koment 3 Mund të lexoni në minuta.
Besimtarët e krishterë festojnë Krishtlindjen, mesazhe dhe urime!

Si në mbarë botën, edhe në Shqipëri besimtarët katolikë shënuan Krishtlindjen, me meshën tradicionale e cila nisi në orën 23:00 dhe vijoi deri pas mesnate. Në Tiranë u mbajt në Katedralen e Shën Palit e drejtohej nga kreu i Kryedioqezës Mitropolitane Tiranë-Durrës, Arjan Dodaj.

Imzot Arjan Dodaj uroi të gjithë besimtarët e krishterë, ndërsa në mesazhin e rastit theksoi se rinia shqiptare duhet të rizbulojë të ardhmen në vendin tonë.

Në këtë ditë të bekuar ritingëllon me thjeshtësi, butësi dhe forcë fjala e engjëjt: Lavdi hyjit në lartësitë qiellore e paqe njerëzve vullnetmirë mbi tokë. Unitet dhe vlera për familjen tonë shqiptare që mblidhet në këto festa. Rinia shqiptare të rizbulojë të ardhmen e vetë në tokën e vetë sepse e ardhmja na përket ne. Të varfrit kurrë të mos dorëzohen përballë pikëllimit që ndonjëherë ballafaqohet me jetën e tyre. Fëmija hyjnor ka një mesazh paqe në pasojat që po mbjell lufta, aty ku është krisma e armëve, akoma më shumë e qara e këtij fëmijëve na thërret për reflektim.

Pas Pashkës, Krishtlindja është festa e dytë më e rëndësishme në kalendarin e besimtarëve të krishterë. Sipas besimit ortodoks dhe katolik, në këtë ditë ka ardhur në jetë nga Virgjerësha Mari, shpëtimtari Jezu Krishti, biri i Perëndisë. Festa e Krishtlindjes simbolizon unitetin dhe ngrohtësinë e të qenit të gjithë pranë familjes.

Drejtuesit më të lartë të shtetit, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj e kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla përcollën urimet e Krishtlindjes. Mesazhi i Begajt:

Uroj nga zemra që kjo ditë të sjellë dritë, shpresë dhe mirësi për të gjithë, në këto kohë jo të lehta. Natyrisht bota sot është e trazuar nga luftrat dhe varfëria dhe vendi ynë nuk mbetet i paprekur nga pasojat e tyre.

Kjo ditë e veçantë, dita simbol e lindjes së Krishtit, zgjon shpresën dhe gëzimin në zemrat tona, na rikthen te vlerat njerëzore e fetare, te familja dhe te besimi. Kjo ditë na rikthen te njëri-tjetri dhe te dëshira për të qenë të bashkuar, për të sjellë dhe kultivuar paqe, bashkëpunim e solidaritet, për t’u kujdesur për tjetrin me dëshirë e dashuri.

Thjeshtësia dhe përulësia janë vlera njerëzore dhe virtyte të çmuara që i shërbejnë paqes dhe harmonisë në familje e komunitet dhe nxisin prosperitetin mes popujve. Dashuria për njëri-tjetrin duhet të mbizotërojë, sepse vetëm ajo e bën botën një vend më të mirë për të gjithë!

Ne shqiptarët kemi një pasuri të vyer: harmoninë dhe bashkëjetesën fetare që na ka mbajtur të bashkuar ndër shekuj; ndaj urojmë e kremtojnë festat duke qenë pranë njëri-tjetrit me zemër e me shpirt, duke bashkuar forcat për një të ardhme më të mirë për këtë vend, për fëmijët tanë, për të gjithë ne.

Uroj që kjo të jetë një ditë plot lumturi e bekime për të gjithë besimtarët e krishterë, por edhe për të gjithë shqiptarët kudo që janë!

Kryeparlamentarja Nikolla:

Në zemër të natës së ftohtë “Një fëmijë lindi për ne!” Që na ndihmon të ecim e ndërtojmë jetën duke ndarë e pakësuar dhimbjen dhe shpërndarë e shumëfishuar gëzimin. Që na mëson se Dashuria, jo urrejtja; Vëllazërimi, jo armiqësitë, Paqja, jo lufta; Solidariteti, jo egoizmi; Përdëllimi, jo braktisja; Lumturia, jo dëshpërimi, Pritja, jo padurimi; Shpresa, jo zhgënjimi, janë idealet që duhet të përshkojnë jetët tona.

Çfarë do të ishte bota dhe ne, pa ato?

Sprovat e forta që kaloi e po përballon njerëzimi, pandemia dhe lufta që ende vazhdon, na rikujtuan sa sa të kristalta e supreme, por edhe sa të thyeshme janë këto vlera.

Me frymëzimin e Krishtlindjes, ditëlindjes së vlerave që Princi i Paqes i dhuroi njerëzimit, le të sakrifikojmë përditë për to! Gëzuar Krishtlindjen! Bekime për të gjithë besimtarët dhe shqiptarët!

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65722 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE