Kremtimet e Krishtlindjes në mbarë vendin/Korça epiqendër!
![](https://www.vovmagazine.al/wp-content/uploads/2022/02/56-2-150x150.png)
![Kremtimet e Krishtlindjes në mbarë vendin/Korça epiqendër!](https://www.vovmagazine.al/wp-content/uploads/2022/12//kremtimet-e-krishtlindjes-ne-mbare-vendin-korca-epiqender.jpg)
Krahas Tiranës, Krishtlindja festohet në të gjitha qytetet e vendit nga besimtarët e krishterë. Korça vijon të jetë epiqendër e kremtimeve. Në qytetin juglindor, dita nisi me meshën e shenjtë të mbajtur në Katedralen “Ringjallja e Krishtit” ku Mitropoliti i Korçës, Hirësia e Tij, Johan Pelushi përcolli urimin e tij për më shumë paqe, shpresë e gëzim.
Le ta falenderojmë Perëndinë për këtë dhuratë dhe le t’i përgjigjemi ftesës bujare të Tij me mirënjohje!
Shkodër:
Qindra besimtarë të krishterë morën pjese në meshën e vigjiljes së Krishtlindjes, në katedralen e Shën Shtjefnit në Shkodër. Mesha e shenjtë u udhëhoq nga Arqipeshkvi Imzot Angelo Massafra, i cili u lut edhe për paqe në botë duke përcjellë mesazhin e Papa Françeskut për situatën në Ukrainë.
Në Ukrainë të kthehet paqja!
Fier:
Qindra besimtarë ortodoksë ishin në meshën e organizuar në kishën e Shën Gjergjit ne Fier ku u bashkuan në lutjen për më shumë dashuri e paqe.
Gjirokastër:
Në Gjirokastër, në Katedralen e Hyjlindëses, qindra besimtarë ortodoksë pritën ditën e lindjes së Krishtit. Në meshën e rastit, At Dhimitri iu kërkoi të pranishmëve të gjejnë paqen dhe dashurinë, frymëzuar nga jeta e përulësia e Krishtit.
Këtë vit, mijëra emigrantë shqiptarë i janë bashkuar festës së Krishtlindjes, duke kremtuar në atdhe me familjet. Vetëm prej pikëkalimit kufitar të Kakavijës, në javën e vigjiljes hynë në territorin shqiptar më shumë se 30 mijë shtetas.
Durrës:
Edhe në Durrës, besimtarët e krishterë kremtuan lindjen e Jezu Krishtit. Në të gjitha kishat, ato katolike, ortodokse dhe ungjillore të qytetit bregdetar, besimtarët u mblodhën për të mos humbur meshat e Krishtlindjes.
Vlorë:
Në Vlorë, besimtarët u bënë bashkë në kishën “Shën Theodhori” ku mesha u drejtua nga At Kostandin Prifti, i cili në mesazhin e tij foli e uroi për më shumë harmoni, paqe, shëndet, si dhe lumturi./Top Channel