Moti i ftohtë, 28 viktima në Amerikë!
Vala e motit të keq që po godet Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka shkaktuar 28 viktima deri tani. Siç raporton NBC, të gjitha fatalitetet janë pasojë e aksidenteve rrugore nga kushtet ekstreme të motit. Erërat e ftohta e të forta vazhdojnë të ngadalësojnë transportin. Kjo është një Krishtlindje e ftohtë, ndoshta më e ftohta në 40 vjet.
Në prag të festës, më shumë se 200 milion amerikanë morën paralajmërime për kushtet ekstreme të motit. Fillimisht, u prekën shtetet veriore e perëndimore. Por, të ftohtit polar nuk i shpëtuan as shtetet jugore.
Disa shtete, përfshirë Nju Jorkun kanë shpallur gjendjen e jashtëzakonshme. Autoritetet apeluan për të kursyer energjinë elektrike. Me temperaturat që janë shumë të ulëta, kërkesa mbetet e lartë dhe ka rrezik që nevoja për furnizim të mbetet e paplotësuar.
Në Tenesi, ndërprerjet e shkurtra të energjisë elektrike aplikohen për të reduktuar konsumin.
Nga veriu në jug, 60% e popullsisë apo rreth 200 milion amerikanë po festojnë Krishtlindje të ftohtë. Mediat amerikane flasin për “Bombën ciklonike”. E intensifikuar me shpejtësi, stuhia ka bërë që termometri të shënojë 40-50 gradë nën zero, në shtetet veriore amerikane.
Erërat e forta, reshjet e dendura të borës dhe i ftohti po shkaktojnë shqetësime të shumta në trafikun ajror. Tashmë, stuhia e dimrit ka bërë që më shumë se 2 mijë fluturime të anulohen. Meteorologët flasin për një ngjarje klimatike që nuk ndodh shpesh.
Atlanta në Xhorxhia e qyteti Tallahase në Florida përjetuan natën më të ftohtë të prag Krishtlindjes në historinë e tyre. E njëjta gjë vlen edhe për Filadelfian e Pitsburgun, ndërsa Çikago preku temperaturat më të ulëta që nga viti 1983. I ftohti polar nuk ka kursyer as Uashingtonin këtë Krishtlindje. Ndërkohë, për Nju Jorkun thuhet se ky i ftohtë nuk regjistrohej që nga viti 1906.
Ditë më parë, presidenti Joe Biden iu drejtua me një apel amerikanëve, që të kenë kujdes e të marrin seriozisht këshillat e autoriteteve lidhur me situatën e krijuar nga moti i ftohtë në Amerikë.