Mungesa e fuqisë punëtore në Gjermani, 250 mijë vende bosh!
Për shkak të mungesës së ndjeshme të fuqisë punëtore në Gjermani, drejtues kryesorë të ekonomisë gjermane kërkojnë lehtësimin e rregullave të emigracionit. Duke folur për agjencinë e lajmeve, dpa, presidenti i DIHK, Dhomës Gjermane të Industrisë dhe Tregtisë, Peter Adrian u shpreh:
Në Gjermani, ne kemi vështirësi të mëdha zgjerimi të sipërmarrjeve, sepse thjesht na mungon fuqia punëtore.
Edhe sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës Qendrore të Zanateve në Gjermani, Holger Schwannecke tha për dpa-në, se aktualisht në degën e atyre që njihen si zanatçinj numërohen rreth 250 mijë vende të lira pune.
Me urgjencë, ne kemi nevojë për fuqi të kualifikuar dhe këtë duhet ta mundësojmë përmes kualifikimit të mëtejshëm në Gjermani e rekrutimit të të gjitha potencialeve të brendshme, por edhe përmes prurjes së fuqisë punëtore nga jashtë vendit. Në këtë drejtim bëhet shumë pak.
Kreu i DIHK, Peter Adrian ka kritikuar pengesat që sipas tij “ndeshin forcat e kualifikuara nga jashtë”.
Eshtë e nevojshme një procedurë jo e komplikuar në konsullata dhe përfaqësitë diplomatike gjermane jashtë vendit. Në moment, kjo dështon thjesht nga strukturat e administratës.
Edhe Holger Schwannecke kritikon procedurat e gjata për dhënien e vizës, se siç vë në dukje “konsullatat janë të mbingarkuara”.
Shumë gjëra ende bëhen me dorë, manualisht e jo në formë digjitale. Nuk është frytdhënëse që ne ende nuk kemi një kulturë mirëseardhjeje për fuqinë e kualifikuar punëtore.
Peter Adrian rrëfen një rast konkret kur me ndihmën e Dhomës së Tregtisë së Jashtme, mori një punëtor nga Maroku, duke e punësuar në biznesin që drejton.
Kjo zgjati 10 muaj e madje më uruan të gjithë, se u bë kaq shpejt. Ka raste kur procedurat zgjasin dy ose tre vjet. Kjo nuk lidhet vetëm me procedurat që nuk janë më të kohës, por edhe në qëndrimin e autoriteteve në vend. Shumë shpesh, konceptet e shërbimit dhe orientimit për ofrimin e shërbimeve nuk janë të njohura.