Restorantet e hotelet më të shtrenjta në Europë, ja ku renditet Shqipëria!
Janë ditët e fundit të 2022-shit dhe natën e ndërrimit të viteve, shumë persona planifikojnë ta kalojnë në shtëpi apo në lokal brenda vendit. Të tjerë nuk ngurrojnë të udhëtojnë. Europa ka shumë alternativa, të lira, mesatare apo dhe shumë të shtrenjta. Eurostat publikoi indeksin e çmimeve të restoranteve dhe hoteleve, të matura sipas fuqisë blerëse, ku si bazë krahasimi merret mesatarja e Bashkimit Europian (BE=100).
Në Europë, shteti më i shtrenjtë është Zvicra, ku hotelet dhe restorantet kushtojnë sa 168% e mesatares europiane. Sipas Eurostat-it, vitin e kaluar, shpenzimet nominale për banor, për hotele e restorante në Bashkimin Europian ishin 1067 euro, ndërsa në Zvicër i kalojnë 2200 euro. Në nivele të ngjashme me Zvicrën janë shtetet nordike ku duhet të paguani 32-66% më shumë se mesatarja e BE-së.
Më shumë se mesatarja duhet të paguani edhe në Belgjikë (123%), Francë (121%) apo Austri (116%). Në Itali, Angli ose në Gjermani, çmimet e hoteleve e restoranteve luhaten rreth mesatares së Bashkimit Europian. Në Qipro e Maltë treguesi zbret në rreth 90% të mesatares europiane dhe në Greqi e Kroaci, luhatet në afro 81-84%.
Portugalia është një nga vendet më të lira të Bashkimit Europian për të qëndruar në hotel dhe për të shkuar në restorante, me rreth 73% të mesatares europiane. Për disa vite me radhë, kryeqyteti portugez Lisbona, u rendit si një nga destinacionet kryesore të Europës.
Rajoni nuk kushton
Në përgjithësi, vendet e rajonit janë ndër më të lirat në Europë. Akomodimi dhe ushqimi mesatarisht kushtojnë sa gjysma apo më pak e mesatares europiane. Më të shtrenjtët në rajon rezultojnë Mali i Zi, me rreth 57% të mesatares europiane dhe Serbia e Bosnja, me 55%.
Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut jo vetëm janë më të lirat në rajon, por edhe ndër më të lirat në Europë, me 46.2% të mesatares europiane.
Të dhënat e Eurostat-it tregojnë se ishin 185 euro shpenzimet nominale për banor për hotele e restorante në vitin 2021. Vitet e fundit, vendi ynë është bërë destinacion tërheqës për turistët nga e gjithë bota që vijnë të shijojnë jo vetëm bukuritë natyrore, por edhe çmimet ende më të lira se në shumë shtete të tjera të Europës.
Për 11 mujorin, sipas INSTAT-it, vendin e vizitoi një numër rekord prej 7.1 milion të huajsh, duke tejkaluar nivelin e para pandemisë me 17%.
Për Kosovën mungojnë shifrat, por të tjera renditje tregojnë se niveli i çmimeve është pak më i lirë se Shqipëria. Më e lira në Europë është Turqia ku akomodimi dhe ushqimi është sa 42% e mesatares europiane./Monitor