Tensionet në veri të Kosovës, KFOR konfirmon të shtënat pranë një patrulle të misionit!

vovalbania December 26, 2022 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Tensionet në veri të Kosovës, KFOR konfirmon të shtënat pranë një patrulle të misionit!

Tensionet në veri të Kosovës, KFOR-i konfirmon të shtënat në afërsi të patrullës së tij në Zubin Potok, njëra nga katër komunat e banuara me shumicë serbe. Për ngjarjen e regjistruar mbrëmë, KFOR-i bën të ditur se nuk ka të lënduar e as dëme materiale. Më herët, Policia e Kosovës hodhi poshtë raportimet e mediave serbe se u përfshi në shkëmbim zjarri në Zubin Potok, kur tentoi të hiqte një nga barrikadat.

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiç mohon se serbët kanë qëlluar ndaj pjesëtarëve të Misionit të NATO-s në Zubin Potok. “Serbët në veri i respektojnë pjesëtarët e KFOR-it, të cilët janë aty në përputhje me Rezolutën 1244”, tha ai për televizionin serb, Pink. Më tej shtoi se situata aktuale në Zubin Potok është “absolutisht e qetë” dhe se “njerëzit janë të vendosur të qëndrojnë në barrikada”.

Prej datës 10 dhjetor, barrikadat vazhdojnë të bllokojnë rrugët në veri të Kosovës, duke mbajtur të mbyllura pikëkalimet kufitare me Serbinë: Jarinjën e Bërnjakun. Serbët i ngritën në shenjë proteste për arrestimin e një ish-polici, i akuzuar si i përfshirë në sulmin kundër KQZ-së.

Por, ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, thotë se “lojërat e Vuçiçit dhe instrumenteve të tij kriminale, po vazhdojnë”. Në një postim në FB shkruan:

Fillimisht deklaruan se në Zubin Potok ka pasur përplasje të armatosura të filluara nga Policia e Kosovës dhe Njësitë Speciale. Por, kur e kuptuan se bandat kriminale të mbështetura nga ai kanë sulmuar KFOR-in, duan t’i mohojnë të gjitha sulmet.

Prishtina kërkon që barrikadat të hiqen menjëherë dhe Serbia të ndalojë organizimin dhe mbështetjen e strukturave kriminale ilegale që sipas qeverisë së Kosovës duan të destabilizojnë vendin. Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, Milan Mojsiloviç, takoi Vuçiçin e më pas u nis për në Rashkë, komunë në jugperëndim të Serbisë.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65234 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE