Tensionet në Kosovë/ Dendias kontakton me KFOR-in dhe Zyrën Ndërlidhëse të Greqisë në Prishtinë!
Burime diplomatike greke bëjnë me dije se për shkak të situatës së tensionuar që mbizotëron në veri të Kosovës ministri Jashtëm grek Nikos Dhendias ka komunikuar sot me shefen e Zyrës Ndërlidhëse të Greqisë në Prishtinë, si dhe me zyrtarë të detashmentit grek të KFOR-it, për t’u informuar për situatën në zonë pas zhvillimeve të fundit.
Sipas të njëjtave burime kreu i diplomacisë greke , në kuadër të iniciativave që ndërmerr për uljen e tensionit, nëpërmjet vizitave të shpeshta në rajonin e Ballkanit Perëndimor, është në kontakt të rregullt edhe me të dërguarin e posaçëm të BE-së për Ballkanin Perëndimor, Miroslav Lajčák, ashtu siç ndodhi dhe javën e kaluar para vizitës së tij në Prishtinë. Për këtë qëllim ka emëruar ambasadoren, Sofia Grammata, të dërguarën speciale për Ballkanin Perëndimor.
Greqia i kushton rëndësi parësore konsolidimit të paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe mbështet vazhdimin e dialogut Beograd-Prishtinë në favor të një zgjidhjeje të dakorduar reciprokisht të çështjeve të pazgjidhura, përfundimtare dhe ligjërisht të detyrueshme -theksojnë burimet diplomatike.