Deputetët Braçe e Sula ironizojnë ministren Krifca për vajin e ullirit: Halli te prodhimi, faji i fermerëve!

vovalbania December 28, 2022 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Deputetët Braçe e Sula ironizojnë ministren Krifca për vajin e ullirit: Halli te prodhimi, faji i fermerëve!

Deputeti socialist, Erion Braçe iu përgjigj deklaratave të ministres së Bujqësisë, Frida Krifca e cila për mbiprodhimin e vajit të ullirit, tha se ullinjtë janë mbjellë pa planifikim. Braçe ironizon se “tani kemi hall mbiprodhimin e akuzojmë bujkun që mbjell e prodhon”. Sipas tij, “është tmerr që nuk ka një grumbullues që të grumbullojë ulli në magazinën e ndërtuar me paratë e shtetit”.

Për ullirin deri dje kishim hall mungesën e prodhimit, dy vite me radhe kemi hall prodhimin. Tmerr të bësh fajtor bujkun që mbjell, shërben, shpenzon, prodhon, tmerr! Ndërkohë, më tregoni një grumbullues që magazinën e ndërtuar me paratë e shtetit, po grumbullon ulli!

Edhe deputeti demokrat, Dash Sula ka replikuar mbi deklaratat e bëra nga ministrja Frida Krifca për mbiprodhimin e vajit të ullirit.

Ulliri dhe vaji shqiptar mbetet pa shitur prej korrupsionit në qeverisje jo prej mbiprodhimit. Kisha vendosur që në këtë prag feste të ndërrimit të vitit të mos postoja për problemet në vend, por nuk mund të rri pa i thënë disa fjalë ministres së bujqësisë. Me papërgjegjshmërinë më të madhe doli dhe bëri fajtor fermerët vendas, qytetarët se kanë mbjell “pa plan” ullinj, ndaj edhe vaji nuk po shitet. Këtë deklaratë e bën vetëm një qeveritar i papërgjegjshëm dhe me vlerësim zero për njerëzit që përfaqëson.

E vërteta është se fermerëve shqiptarë u ka mbetur vaji ne shtëpi, ndonëse me super cilësi për shkak të korrupsionit të kësaj qeverie dhe mungesës së vizionit. Znj. Ministre, të dashur qytetar që do lexoni këtë postim, do duhej që këtë vit por edhe më herët së pari që paratë që shpenzojnë nga buxheti i shtetit për karrige luksi nëpër zyra, për festa dhe zbukurime koti, ti përdorte për panaire në vendet e europës për të prezantuar produktet shqiptar.

Jo shumë larg nga këtu, në Itali, kërkesa për vaj ulliri është shumë e lartë. Nëse qeveria jonë do ishte rrekur të mendonte sadopak për fermerët mund të ftonte disa biznesmenë italianë në Shqipëri t’i bënte një tur në Elbasan, Peqin, Belsh, Berat, Lushnje, Vlore dhe Sarandë dhe këtë fundvit familjet tuaja do ishin më të lumtura sepse do kishit shitur prodhimin. Por këtë gjë nuk e bëri qeveria. Nuk e bëri sepse interesi i tyre nuk janë qytetarët, por tenderat qindra miliona euro që sigurojnë edhe bakshishe për ta.

Ndërkohë ka pasur edhe ndonjë përpjekje nga vjet biznesmenët vendas që të lidhen me biznesmenë në Itali, por në dijeninë time përpjekjet kanë dështuar për shkak perceptimit të tyre dhe vështirësive të hasura në fazat e para për shkak të korrupsionit në Shqipëri. Këto janë arsyet e vërteta pse vaji shqiptar mbetet pa shitur e jo mbiprodhimi.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65812 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE