Kukës, vazhdon izolimi për mbi 1 mijë banorë të 4 fshatrave nga shembja e gurëve!
Prej dy ditësh, shembja masive e gurëve ka bllokuar rrugën në Grykë-Çajë të Kukësit. Kryetari i Bashkisë, Safet Gjici, ka parë nga afër situatën në segmentin Lapaj-Grykë-Çajë. Gjici bëri të ditur se janë në pritje të specialistëve nga Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave, si dhe forcave të ushtrisë, pasi duhet ndërhyrje më e specializuar e po ashtu, vlerësim i terrenit që të shmangen shembje të tjera.
Eshtë një rrugë shumë e vështirë dhe duam që në radhë të parë të sigurojmë jetën e njerëzve sepse kemi edhe banesa poshtë kësaj rruge, kemi rrugën kryesore që lidh Dibrën me Kukësin. Kështu që kërkoj në mënyrë sa më të shpejtë nga të gjitha forcat e Drejtorisë së Emergjencave Civile, të vijnë dhe të bëjnë studimin e plotë gjeologjik, nëse kjo rrugë mund të bëhet e kalueshme sepse janë bllokuar katër fshatra. Jemi këtu me të gjitha forcat tona, emergjencat dhe drejtorinë e rrugëve, por duam të vijnë sa më shpejtë specialistët që të shikojnë se çfarë zgjidhje do t’i jepet problemit të kësaj rruge.
Rruga e bllokuar Lapaj-Grykë Çajë lidh me Kukësin katër fshatra të Njësisë Administrative Grykë-Çajë. Aktualisht, më shumë se 1 mijë banorë kanë mbetur të izoluar dhe apelojnë që nata e ndërrimit të viteve të mos i gjejë të bllokuar.
Po ashtu, kjo rrugë bën pjesë në aksin Kukës-Dibër, çka do të thotë që monitorimi për shembje duhet të jetë i vazhdueshëm për të siguruar lehtësimin e lëvizjes së atyre që e kalojnë.
Ndërkohë, raportohet se mjetet e emergjencave civile të Bashkisë Kukës janë në terren, por për shkak të rrezikshmërisë të territorit dhe skarpateve mbi rrugë, bëhet i pamundur depërtimi i tyre për hapjen e saj.