Prokurori i SPAK-ut foli si gjykatës/ Shfajësoi kolegët Braho dhe Nakuçi për provat e Ahmetajt!
“Për rastin konkret, nga prokurorët e kallëzuar nuk rezulton të jenë ngritur akuza të pabazuara, të jenë fshehur prova apo të jenë shmangur nga përgjegjësia penale persona të tjerë”. Kjo frazë nuk është thënë nga një gjykatë, por nga SPAK-u, i cili në tejkalim të kompetencave po merr edhe pushtetin e gjyqtarëve.
Nëse kanë hetuar apo jo Arben Ahmetajn dy prokurorët Klodian Braho dhe Eneid Nakuçi e nëse i kanë ngritur apo jo akuzat siç duhet, këtë nuk duhet ta deklaronte SPAK-u, por gjykata, e cila sipas ligjeve të reformës në drejtësi ka kompetencat për të vlerësuar fashikujt dhe konsideruar provat.
Megjithëse ligji është i qartë dhe i detyrueshëm për të gjithë, fraza e mësipërme nuk është thënë nga një gjykatë, por nga një prokuror i SPAK i cili në tejkalim të kompetencave, ka marrë rolin e gjyqtarit duke shpejtuar të mbyllë hetimet ndaj dy prokurorëve të inceneratorëve, të kallëzuar nga Adriatik Doçi për shpërdorim detyre dhe për fshehje të provave.
Siç rezulton nga aktet, prokurorit Alfred Shehu i kanë mjaftuar vetëm 13 ditë për të shpëtuar dy kolegët e tij të cilët nuk i panë provat e udhëtimeve luksoze të Ahmetajt, që vazhdimisht u paguan nga i akuzuari i inceneratorëve.
Duke mos gjetur argumente shterues i njëjti prokuror i SPAK-ut arsyeton në vendimin e mos fillimit të hetimit ndaj Eneid Nakuçit dhe Klodian Brahos duke marrë kompetencat e gjykatës e duke u kthyer në një gjykatë që vetë heton e vetë gjykon, edhe pse rolet në drejtësi janë të ndara, prokurori heton dhe gjykata shqyrton.
Prokurori Alfred Shehu flet për bindjen e brendshme të dy prokurorëve, kur në fakt bindja e brendshme është e drejtë ekskluzive e gjyqtarëve që vendosin për çështjen bazuar në prova, që më pas u krijojnë bindjen e brendshme.
Bindja e brendshme nuk i takon prokurorit, as Eneid Nakuçit dhe as Klodian Brahos apo edhe Alfred Shehut që sipas ligjit kanë të drejtë të përfaqësojë akuzën e shtetit në gjykatë e të ngrejnë akuza bazuar mbi dyshimet e arsyeshme.
A janë apo jo dyshime të arsyeshme faturat disa milionëshe të qëndrimit në hotelet luksoze të Arben Ahmetajt, që mbi akt-ekspertizat e kryera vërtetohen shkencërisht? Përgjigjja është padyshim që janë më tepër se kaq, janë prova./Top Channel