Tentuan të trafikonin kanabis në Maqedoninë e Veriut, pranga tre të rinjve në Qafë-Thanë!
Tre të rinj janë arrestuar nga policia e qarkut Korçë pasi u kapën në Qafë-Thanë duke tentuar që të trafikonin lëndë narkotike të llojit kanabis në Maqedoninë e Veriut. Krahas tyre, dy të tjerë për të cilët mësohet se janë vëllezër u shpallën në kërkim.
Në vijim të operacionit “Restart”, nisur më 7 nëntor 2021, u arrestuan në flagrancë Erisa Fero, 28 vjeçe, banuese në Tiranë, M.K , 17 vjeç, banues në Krujë; Likë Basha, 32 vjeç, banues në fshatin Mafsheq, Krujë. Po ashtu u shpallën në kërkim shtetasit F. S., 30 vjeç dhe G. S., 28 vjeç, banues në fshatin Piskupat, Pogradec.
Në bazë të informacioneve që kishte policia se në drejtim të Maqedonisë së Veriut, nëpërmjet zonës së fshatit Lin, Pogradec, do të trafikohej një sasi e konsiderueshme lënde narkotike, ka kryer kontrolle në Qafë-Thanë. Policia ka ndaluar makinën tip “Volkswagen” pranë të cilit ndodhej shtetasi L.B.
Gjatë kontrollit në brendësi të makinës, në pjesën e bagazhit u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 58 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis. Nga hetimet e kryera rezulton se Erisa Fero dhe shtetasit M. K. e Likë Basha, kishin kryer transportimin e lëndës narkotike nga qyteti i Tiranës në drejtim të Qafë Thanës.
Po nga veprimet e para hetimore, rezulton se trafikimin e sasisë së drogës në drejtim të Maqedonisë së Veriut do ta kryenin dy shtetasit e shpallur në kërkim F. S. dhe G. S. Në bashkëpunim me Prokurorinë, po vijon puna për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe vënien para përgjegjësisë penale të personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.