Berisha bën bilancin e 2022-shit, nuk harron ambasadoren Kim: Kërkoi t’i diktojë kryetarin opozitës!
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u shpreh sot se “viti 2022 do të skalitet në muret e kohës si viti i opozitës shqiptare”.
Me të gjitha vështirësitë e jashtëzakonshme, opozita ia doli jo vetëm të jetë lajmi dhe idea e vitit, por edhe t’i japë tonin jetës politike të vendit. Çdo shqiptar ka të drejtë të shpresojë e të besojë për një vit më të mirë, më me shpresë dhe më afër idealeve të tij.
Do të skalitet si viti i opozitës shqiptare sepse ndaj përpjekjeve të jashtëzakonshme të popullit opozitar, të PD-së, për të qëndruar si opozitë e vërtetë u përdorën të gjitha mjetet e paligjshme kundër kësaj opozite, me qëllimin e vetëm, që ta mbanin atë një parti simotër të krimit në pushtet.
Berisha tha edhe se “në përpjekjet antiopozitare nxin qëndrimi i ambasadores së SHBA-ve”.
Në këtë përpjekje do të nxijë në historinë e turpit, qëndrimi i ambasadores së SHBA-ve, e cila, pasi në një akt madhor korruptiv, kishte mashtruar qeverinë e saj për korrupsionin imagjinar të Sali Berishës, bëri gjithçka që t’i diktojë opozitës, kryetarin e saj. Përdori, abuzoi dhe shpërdoroi, duke shkelur çdo ligj të këtij vendi dhe vendit të vet, çdo konventë ndërkombëtare, çdo parim. Përdori fuqinë e vendit të saj, për t’i diktuar opozitës kryetarin.
Ky është viti i opozitës, sepse asgjë nuk mposhti dot idealet e demokratëve.
Ata u ngritën fuqishëm kundër armikut të egër të votës së lirë, armikut të egër të PD-së, u ngritën kundër atyre që përdorën korrupsionin për të luftuar antikorrupsionin në Shqipëri, që përdorën krimin e organizuar për të luftuar antikrimin në Shqipëri. Pavarësisht se ata përfaqësonin shtetet më të admiruara nga shqiptarët, Shtetet e Bashkuara dhe Britaninë. Opozitarët shqiptarë qëndruan dhe këtë vit i faktuan kombit dhe botës se Shqipëria ka një opozitë më të fuqishme se kurrë, më të vërtetë se kurrë.