Gjenden dokumenta të klasifikuara në zyrën e ish-presidentit amerikan Biden!

vovalbania January 10, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Gjenden dokumenta të klasifikuara në zyrën e ish-presidentit amerikan Biden!

Shtëpia e Bardhë pranon se vjeshtën e kaluar, avokatët e presidentit Joe Biden gjetën “një numër të vogël” të dokumenteve të klasifikuara në ish-zyrën e tij, në një institut kërkimor në Uashington. Kjo nxiti një hetim të Departamentit të Drejtësisë, që mund të synojë të përcaktojë nëse duhet emëruar një këshilltar i posaçëm, si ai që hetonte keqpërdorimet e pretenduara të dokumenteve nga ish-presidenti Donald Trump. Dokumentet u zbuluan në Qendrën Penn Biden në fillim të nëntorit.

Biden e pati hapur këtë institut pasi përfundoi mandatin si zv.president. Shtëpia e Bardhë konfirmoi se u hap një hetim dhe shtoi se do të bashkëpunojë me Departamentin e Drejtësisë e dokumentet i janë dorëzuar Administratës së Arkivave Kombëtare, agjenci që merret me të dhënat presidenciale. U gjetën afro 10 dokumente, tha një person i cituar nga Washington Post.

Shtëpia e Bardhë po bashkëpunon me Arkivat Kombëtare dhe me Departamentin e Drejtësisë lidhur me zbulimin e atyre që duket se janë të dhëna të administratës Obama-Biden, përfshirë edhe një numër të vogël të dokumenteve të shënuara si të klasifikuara.

Dokumentet u gjetën në Qendrën Pen Biden në fillim të nëntorit, pak kohë pasi Prokurori i Përgjithshëm, Merrick Garland, emëroi këshilltar të posaçëm, Jack Smith-in për të mbikëqyrur hetimin penal mbi mundësinë që Trump të ketë vepruar si duhet me qindra dokumente të klasifikuara që i kishte marrë në Mar-a-Lago pasi përfundoi mandatin presidencial. Zyrtarët thanë se hetimi për Trump-in nuk është nisur vetëm për shkak të shqetësimeve për mosveprimin e duhur me dokumentet, por edhe për mundësinë e pengimit të drejtësisë apo të shkatërrimit të të dhënave.

Sa i përket rastit për Qendrën Penn Biden, u theksua se dokumentet u zbuluan nga avokatët personalë të presidentit, kur ata po paketonin dokumentet që mbaheshin në një kasafortë, teksa po përgatiteshin që të lironin zyrën. Dokumentet e Biden-it u gjetën nga avokatët e presidentit, të cilët në mënyrë vullnetare i dorëzuan tek autoritetet. Në rastin e Trump-it, zyrtarët shtetërorë kishin kërkuar që ai t’i kthente dokumentet e lëshuan edhe urdhëra ligjorë. Më pas, avokatët e Trump-it dorëzuan 38 dokumente të klasifikuara, por FBI-ja gjeti mbi 100 të tilla e që nuk u ishin dorëzuar autoriteteve.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65211 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE