Kushi bën analizën e punës: Në fund të çdo muaji, prindi do të marrë vlerësimin e fëmijës nga mësuesi
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, ka mbajtur sot një konferencë me gazetarët ku ka bërë një analizë të punës së dikasterit që ajo drejton për vitin që lamë pas, por edhe sfidat e këtij viti ku kemi hyrë.
Duke folur për një nga problematikat më të mëdha të konstatuara, lidhur kjo edhe me ankesat e nxënësve apo prindërve, sa i përket testeve të provimeve të Maturës Shtetërore, ministrja Kushi u shpreh se nxënësit do të kenë të drejtën e marrjes, por edhe rivlerësimit të testeve të tyre në rast se do të kenë kundërshti apo pretendime për vlerësim të gabuar.
“Nxënësit do të kenë të drejtën e tyre që jo vetëm të marrin testin e tyre, por nëse do ketë gabime, do ngrihet një komision i posaçëm, që do të bëjë rivlerësim dhe kështu nxënësi të marrë notën që i takon. Por janë shumë të rralla rastet kur vlerësimi ka qenë i gabuar, pasi testet korrigjohen nga dy mësues të ndryshëm. Do jetë një transparencë më e madhe që të mos kemi asnjë problematikë, që të shmangin kopjet, bisedat mes nxënësve. Do të rrisim numrin e mësuesve vëzhgues.”
Ndërkohë, ministrja Kushi bëri me dije gjithashtu se, është gati tashmë Ligji për Arsimin Paraunversitar, i cili është konsultuar gjatë dhe pritet që së shpejti të dërgohet në Parlament për miratim.
“Ligji për Arsimin Parauniversitar është gati. Është konsultuar gjatë dhe do të dërgohet në Parlament për miratim.”
Ajo shtoi se një tjetër risi do të jetë edhe komunikimi i vazhdueshëm mes prindërve dhe mësuesve, i cili sipas ministres, do të jetë i automatizuar, ku në fund të çdo viti shkollor, prindërit do të mund të marrin nga sistemi dëftesën e fëmijës së tyre, si dhe një vlerësim mujor nga mësuesi përkatës për ecurinë e çdo nxënësi.
“Komunikimi mes prindërve dhe mësuesve do të jetë i automatizuar. Në fund të çdo viti shkollor, prindi do të mund të printojë dëftesën nëpërmjet sistemit. Në fund të çdo muaji, prindi do të marrë nga mësuesi përkatës një vlerësim të fëmijës së tij.”