Libri “Spare” i Princit Harry, më i shituri në Mbretërinë e Bashkuar!
Së fundmi libraritë në të gjithë Londrën janë hapur për të përmbushur kërkesat e shumta për librin me kujtime të Princit Harry, i cili ka dalë zyrtarisht në shitje. Librashitësit hapën degën e tyre kryesore Piçadilly në pritje të kërkesës së lartë të klientëve, pasi libri u botua në mbarë botën në 16 gjuhë. Ndërkaq, ky libër është bërë më i shituri ndonjëherë në Mbretërinë e Bashkuar.
Libri “Spare” ofron zbulime të fundit të bëra nga Harry dhe gruaja e tij Meghan, që kur ata u larguan nga detyrat mbretërore më 2020 dhe u transferuan në Kaliforni për të krijuar një jetë të re. Publikimi i librit pason dokumentarin e Netflix për Princin Harry. Familja mbretërore nuk ka komentuar lidhur me librin dhe nuk pritet që të bëjë një gjë të tillë.
Sipas shtëpisë botuese britanike “Penguin Random House”, u shitën 400,000 kopje në formate fizike, e-librash dhe audio të “Spare”. Librat e vetëm që janë shitur më shumë në ditën e tyre të parë janë ato që kanë të bëjnë me “Harry-n tjetër”, tha në një deklaratë drejtori menaxhues i Transworld, Larry Finlay, duke iu referuar librave më të shitur fiction në serinë e Harry Potter. Prej disa ditësh, në media po përflitet për librin dhe ka një kuriozitet të madh, pasi Harry ka zbuluar aty gjithçka, nga mënyra se si humbi virgjërinë e tij deri tek pretendimet se u sulmua nga vëllai i tij, Princi William.
Kujtimet prej 410 faqesh, që zbulojnë konfliktin dhe tensionet personale brenda pallateve mbretërore, tregojnë versionin e Princit Harry të rritur dhe përplasjet e tij me familjen mbretërore. Deri më tani Buckingham Palace dhe Kensington Palace nuk janë përgjigjur. Sipas njoftimeve të fundit nga pallati mbretëror, Princi William thuhet se ndihet i shkatërruar nga pretendimet e bëra nga vëllai i tij më i vogël, Princi Harry në librin e tij më të ri të publikuar “Spare” dhe intervistat pasuese televizive gjatë kësaj jave.