Moti i keq, të paktën 7 viktima nga një stuhi e fuqishme në SHBA!
Një stuhi me erëra të fuqishme dhe tornado goditi të gjithë jugun e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke shkaktuar vdekjen e të paktën shtatë personave në Xhorxhia dhe Alabama. Po ashtu, në këto dy shtete amerikane u raportua edhe për dëme materiale. Autoritetet thanë se më vonë gjatë ditës së sotme mund të kenë një panoramë më të qartë të shkallës së dëmit të shkaktuar nga stuhia e për fat të keq mund të ketë edhe më shumë viktima, çka do të shihet pasi të përmirësohen kushtet atmosferike.
Stuhia nisi një natë më parë dhe qindra mijëra amerikanë mbetën pa energji elektrike në Xhorxhia e në Alabama. Në Selma të Alabamës, autoritetet lokale zhvilluan një takim për të shpallur gjendjen e jashtëzakonshme. Gjashtë nga viktimat u raportuan në qarkun Autauga, që gjendet 66 kilometra në verilindje të Selmës e ku vlerësohet se 40 shtëpi janë dëmtuar ose shkatërruar nga një tornado që goditi këtë zonë. Gjithashtu, të paktën 12 persona u lënduan dhe u dërguan për trajtim mjekësor në spital. Referuar dëmeve të shkaktuara, një zyrtar deklaroi:
Kjo është stuhia më e keqe që kam parë në këtë shtet.
Në Xhorxhia, një pasagjer humbi jetën kur një pemë goditi makinën me të cilën po udhëtonte në Xhekson. Sipas Shërbimit Kombëtar të Motit, janë regjistruar 33 tornado që kanë goditur në Misisipi, Alabama, Xhorxhia, Tenesi, Kentaki e në Karolinën e Jugut dhe të Veriut.
Për shkak të stuhisë, rreth 40 mijë amerikanë mbetën pa energji elektrike në Alabama, ndërsa 86 mijë në Xhorxhia, një natë më parë.
Në të paktën gjashtë qarqe në Xhorxhia, mësimi u anulua për ditën e sotme. Stuhia e së enjtes u shkaktua nga tre faktorë: cikli natyror i motit La Nina, ngrohja e Gjirit të Meksikës për shkak të ndryshimeve klimatike dhe tornadot që u shkaktuan nga perëndimi në lindje të vendit.