Investohen 1 miliardë euro, por Shqipëria ka më pak rrugë për banorë!
Gjatë viteve 2016-2020 u investuan gati 1 miliardë euro në infrastrukturë, por dendësia e rrjetit rrugor ka rënë në vendin tonë. Ky indikator tregon gjatësinë totale të rrjetit rrugor në raport me sipërfaqen për metër katror. Rënia e këtij indikatori tregon se për drejtuesit e automjeteve në Shqipëri ka gjithnjë e më pak rrugë në dispozicion, pavarësisht investimeve të mëdha që thith sektori çdo vit.
Gjatë këtyre viteve “Transporti Rrugor” ka qenë zëri i dytë më i lartë buxhetor, vetëm pas fondeve që i transferohen sigurimeve shoqërore për pensionistët. Nga 2019-ta, çdo vit dendësia ka ardhur me ulje, duke e renditur Shqipërinë të fundit në rajon për rrugë, çdo kilometër katror. Vetëm 12,5 kilometra rrugë për 100 km2 janë të shfrytëzueshme nga shoferët. Një shkak kryesor që lidhet me uljen e këtij indikatori është kosto e lartë për kilometër me të cilin ndërtohen rrugët në Shqipëri, ndërsa kjo sjell që të ndërtohen më pak kilometra rrugë nga sa ka nevojë territori.
Gjithashtu një tjetër fenomen është fakti që me ndërtimin e akseve të reja lihen tërësisht në harresë akset e vjetra, duke u nxjerrë jashtë inventarit të Autoritetit Rrugor Shqiptar. Ndërsa dendësia e rrjetit rrugor bie, INSTAT tregon se numri i automjeteve në qarkullim rritet gjithnjë e më shumë dhe janë rreth 740 mijë mjete në 2021-in me rritje 9.4% nga një vit më parë.
Ndërkohë, shifrat e Institutit të Statistikave tregojnë se nga 3 mijë e 600 kilometra rrugë në total, Shqipëria ka vetëm 24.7 kilometra autostradë, ndërsa 260 kilometër rrugë janë interurbane kryesore dhe pjesa tjetër, rrugë të nivele të ndryshme.
Momentalisht, për 35 vite, Ministria e Infrastrukturës ka dhënë me koncension një nga akset kryesore në vend si autostrada Milot-Fier, ndërsa vazhdon që të ketë shtatë kantiere të hapura për rrugët, ku në pjesën juglindore të vendit, në akse si Qukës-Qafë Plloçë dhe Korçë-Ersekë projektet janë zgjatur më shumë se 13 vite./Top Channel