Kurti: Mercenarët e “Wagner” dhe paramilitarët e Putinit i kemi fotografuar në veri!
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zbuluar për një gazetë holandeze detaje në lidhje me organizimin dhe ngritjen nga ana e serbëve të barrikadave në Veri.
Kurti tha se ngritja e barrikadave u orkestrua nga Beogradi, ku njerëzit u sollën me autobusa në veriun e Kosovën për qëllime destabilizuese.
Shefi i qeverisë në Prishtinë shtoi gjithashtu se ndër personat e sjellë me autobusë kishte pjestarë të maskuar të Brigadës së Veriut, Grupit Wagner dhe Ujqërit e Natës. Ai nënvizoi se të gjitha provat me foto dhe video janë dokumentuar dhe u janë dërguar organeve ligjzbatuese.
“Njerëzit u sollën me autobusë nga Serbia për të udhëhequr barrikadat. Ne kemi prova se këta janë njerëz të maskuar me shenja të milicisë ruse Wagner, Ujqërit e Natës (një bandë ruse motoçikletash besnike ndaj Putinit) dhe të ashtuquajturës Brigadë e Veriut”, ka thënë Kurti për gazetën holandeze NRC.
Gjithashtu ai shtoi se Prishtina duhet të vendosë sundimin e ligjit në very të Kosovës.
“Ne do të duhet të vendosim sundimin e ligjit në veri të Kosovës për të trajtuar realisht paligjshmërinë atje”, tha Kurti.