Kupa e Shqipërisë në fazën e 1/8, ja rezultatet!
Kupa e Shqipërisë është në fazën e 1/8 dhe këtë të mërkurë janë zhvilluar dy nga tre ndeshjet e programuara. Në Fier, Apolonia dhe Kukësi barazuan 0-0, teksa në Korçë, Skënderbeu humbi 0-1 me Egnatian. Në 16:00 në “Niko Dovana” Erzeni barazoi 1-1 me Teutën. Këto janë ndeshjet e para për këtë raund, teksa ato të kthimit luhen në 1 dhe 2 shkurt. Kujtojmë se dje u zhvilluan pesë ndeshjet e para.
Në aneksin e stadiumit “Loni Papuçiu” në Fier, Apolonia dhe Kukësi barazuan 0-0. Për verilindorët nuk ishin në fushë vëllezërit Taipi, me klubin që u kujdes dje të tregonte se nuk ka një krisje mes palëve. Ndeshja nuk prodhoi gola, me skuadrat që e kanë lënë kualifikimin për në sfidën e radhës.
Në stadiumin e Korçës, Skënderbeu vendas humbi 0-1 me Egnatian. Goli i fitores u shënua në minutën e 90+5 të takimit. E majta e Paulauskas nuk u ndal dot nga Ruçi, me rrogozhinasit që marrin një rezultat të mirë në transfertë. Autori i golit, lituanezi 23-vjeçar vetëm dy ditë më parë u prezantua nga Egnatia, duke debutuar me gol në minutat e para. Duket se mëngjarashi i ka dërguar “sms” trajnerit Duro për një vend në formacion. Nga ana tjetër, korçarët që janë në Kategorinë e Parë nuk kanë mundur të mbajnë barazimin vetëm në sekondat e fundit të ndeshjes.
Në stadiumin “Niko Dovana”, Erzeni dhe Teuta barazuan 1-1 për ndeshjen e parë në raundin e 1/8 në Kupën e Shqipërisë. Në një stadium ku vendas ishin shijakasait dhe më shumë tifozë ishin të Erzenit, skuadrat prodhuan disa raste por gjetën golat vetëm në pjesën e dytë. Ka qenë pikërisht Dajvid Kapllani “ëngjëll dhe djalli” i duelit. I afruar te Erzeni pak ditë më parë pasi la Teutën, ai do shënonte gol dhe autogol. Në minutën e 81 të ndeshjes, sulmuesi do kalonte në avantazh Erzenin me një gjuajtje fluturimthi nga jashtë zonës, teksa Qirko mbeti i shtangur. Vetëm tre minuta më vonë, Kapllani do shënonte në portën e tij duke vendosur shifrat në 1-1. Në zhvillimet e një këndoreje për Teutën, goditja me kokë e Ledjo Beqjas është devijuar nga Kapllani për autogol. Gjithçka për kualifikimin pritet të vendoset në ndeshjen e kthimit në 1 shkurt.