Rikthehet “S’e kam me ty” në Top Albania Radio, nga data 26 janar!
A e keni menduar ndonjëherë sa shumë televizione janë bërë, sa shumë programe, sa e vështirë është të ndjekësh diçka në një realitet me kaq shumë oferta dhe ku çdo gjë lëviz shumë shpejt. Dikur çdo gjë ishte e thjeshtë. Brezi i 40-vjeçarëve të sotëm e kujtojnë mjaft mirë kur kishim vetëm një kanal (TVSH) dhe dije çdo gjë që ndodhte – apo jo?
Në lumin e programeve televizive dhe ‘qyfyreve’ të tyre frymëzuar nga cikli ‘Mai Dire’ i Mediaset – tre emra të njohur të radios & TV në Shqipëri vijnë me një program ku komentohen perlat nga programet që njihni dhe nuk i njihni, që i keni parë ose me shumë gjasa jo, xhanëm me kaq sa janë kjo është e pamundur…
Nuk do të mungojnë temat pikante çdo javë me të ftuar shumë interesantë. Komentet për programe televizive ose jo, të ardhura nga treshja jonë siç nuk i keni dëgjuar kurrë më parë. Por jo vetëm kaq, do flitet për tradhtinë, vjehrrat, dashurinë dhe seksin… Këto e gjithçka tjetër që ju shkon ndërmend do i zbulojmë shumë shpejt së bashku.
Një emision nga Jonida Aliçkolli, Elios Shuli dhe Lei Kraja, nga data 26 janar e çdo të enjte në valët e radios suaj më të dashur, Top Albania Radio!