Japonia do t’i ndryshojë statusin, COVID të trajtohet si gripi sezonal!

vovalbania January 20, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Japonia do t’i ndryshojë statusin, COVID të trajtohet si gripi sezonal!

Kryeministri japonez, Fumio Kishida, bëri të ditura planet për të ndryshuar statusin ligjor për COVID-19, sëmundjen që shkakton koronavirusi, për ta trajtuar njësoj si edhe gripin sezonal. Një hap i tillë do të mund të zbusë edhe më shumë masat për luftën kundër pandemisë në kohën kur Japonia po tenton t’i kthehet jetës normale.

Në mesin e masave që aktualisht zbatohen në vendin aziatik është vendosja e maskës. Kishida informoi se ka udhëzuar ekspertët dhe zyrtarët qeveritarë që të diskutojnë detajet për ndryshimin e statusit për COVID-19.

Për më shumë, ky ndryshim do të shfuqizonte masën e vetizolimit duke iu mundësuar pacientëve me koronavirus që të kërkojnë trajtim në çdo qendër shëndetësore e jo vetëm në disa institucione të specializuara, siç ndodh deri tani.

Në mënyrë që t’i kthehemi jetës normale në Japoni, ne do të studiojmë masa konkrete që gradualisht të kalojmë në fazën e re.

Kishida i bëri këto deklarata ndërsa vendi po përballet me shifra rekord të infektimit dhe vdekjeve, në atë që konsiderohet vala e tetë prej shpërthimit të pandemisë.

Sipas Ministrisë japoneze të Shëndetësisë, shifrat ditore të vdekjeve arritën në mbi 500 fundjavën e kaluar. Ekspertët besojnë se kjo rritje mund të lidhet me përkeqësimin e sëmundjeve kronike te pacientët e moshuar.

Në Japoni, COVID-19 kategorizohet si sëmundje e shkallës së dytë, bashkë me SARS-in dhe tuberkulozin. Pacientët me këto sëmundje duhet të izolohen. Përhapja e këtyre sëmundjeve u mundëson qeverive lokale që të shpallin masa emergjente. Kategorizimi i COVID-19/ës në shkallën e pestë nënkupton edhe heqjen e masave.

Për koronavirusin e ri u raportua për herë të parë në dhjetor të vitit 2019, në Uhan të Kinës. Organizata Botërore e Shëndetësisë, OBSH e shpalli pandemi më 11 mars të vitit 2020. Më shumë se 6.7 milion njerëz kanë humbur jetën që prej shpërthimit të pandemisë në mbarë botën. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë regjistruar numrin më të madh të viktimave, të ndjekura nga India e Brazili.

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65249 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE