MM për situatën nga moti i keq: Niveli i lumenjve jo kritik/Hidrovoret me kapacitet të plotë!
Ministria e Mbrojtjes njofton për situatën në vend nga pasojat e motit të keq me shira intensivë e reshje dëbore. Sasia më e lartë e reshjeve të regjistruara gjatë natës ishte në qarqet Lezhë, Elbasan, Shkodër e Korçë, ndërsa pjesa tjetër e vendit ka patur më pak. Niveli i lumenjve është nën atë kritik. Hidrovoret janë gatishmëri, po punojnë me kapacitet të plotë e nuk paraqesin problem për përmbytje.
Sasia e reshjeve në basenin ujëmbledhës të Fierzës sot është 25 mm. Prurjet janë 1350 m3/s. Sasia e reshjeve në basenin ujëmbledhës Koman-Vau i Dejës 40 mm, prurjet në Koman janë 650 m3/s dhe në Vaun e Dejës, 130 m3/s. Në Kaskadën e Drinit janë ulur shkarkimet krahasuar me dje, sot do të vijojnë me 300 m3/s. Po sot, si pasojë e shtimit të reshjeve në qarkun Lezhë ka shkarkime në digën Ura e Fanit, me 153 m3/s.
Sa i përket furnizimit me energji, ka problematika veçanërisht në disa zona rurale e të thella.
Në qarkun Shkodër, nuk raportohet zgjerim i hartës së sipërfaqes së përmbytur. Kalohet me mjete të larta vetëm rruga e Obotit, ku ka prani uji. Në Malësinë e Madhe po punohet për zhbllokimin e aksit Bogë-Theth, të bllokuar për shkak të orteqeve në vendin e quajtur “Tunelet Panoramike”. Momentalisht iu dha zgjidhje me rrugë alternative qarkullimit në akset e mbushura me inerte si Bardhet-Iballë, në Fushë Arrëz.
Në qarkun Lezhë ka normalizim të situatës në lagjen “Beslidhja”. Po ashtu u normalizua qarkullimi në urën e Mërçisë që lidh fshatin me superstradën Lezhë-Balldre. Po monitorohet gjendja në lagjet Skënderbeg e Lalm i Ri, ku ka prani uji në pak banesa. U evakua një familje prej 6 personash në lagjen Kodër Mulliri, Njësia Administrative Kolsh. Ata u akomoduan në hotelet e zonës.
Në Mirditë, lumi Fan ka shtuar prurjet, por momentalisht është brenda shtratit të tij. Pa probleme të theksuara paraqitet situata edhe në qarkun Kukës, ku punonjësit e emergjencave janë në terren për të riparuar çdo dëm sado i vogël që mund të jetë. Në qarkun Gjirokastër po punohet për pastrimin e inerteve në rrugët midis fshatrave Kolonjë-Medar e Kolonjë-Golem, ndërsa Erind-Çajup ka prezencë të borës.
Puna vijon për pastrimin e rrugëve në bashkinë Këlcyrë. Në qarkun Elbasan ka prani dëbore në segmentin rrugor Prrenjas-Qafë Thanë, në aksin Elbasan-Gjinar, kilometri i fundit dhe në disa rrugë që lidhin fshatrat e Njësisë Administrative Labinot.
Edhe për ditën e sotme është ndërprerë mësimi në 56 shkolla, deri në një njoftim të dytë nga Ministria e Arsimit. Forcat e Armatosura u janë përgjigjur nevojave të bashkive në këtë situatë. Në Bashkinë Lezhë janë angazhuar 40 trupa ushtarake si dhe u dërguan 2 mjete të kalueshmërisë së lartë e 4 motopompa.
Në Bashkinë Shkodër në fshatin Obot, Njësia Administrative, Ana e Malit operuan 4 trupa me 1 mjet të kalueshmërisë së lartë. Në Bashkinë Mat, një mjet i kalueshmërisë së lartë me 6 forca, ndërsa në gatishmëri për çdo lloj situate janë 1200 efektivë dhe 450 mjete.
Gjatë 24 orëve të fundit, brigadat e drejtorisë së tensionit të lartë, pranë OSHEE Group, pas një operacioni të vështirë në terren, nisur nga kushtet e motit të keq, bënë të mundur rikthimin në punë të linjave 35kV.
Konkretisht janë vendosur në punë objektet: Vau i Dejës-Koman; Pukë-Koman; Fushë Kuqe -Rrilë; Rrëshen-Kaçinar; Bistricë-Livadhja; N/st Koman.
OSHEE informon se ekipet e drejtorisë së tensionit të lartë po monitorojnë situatën dhe ndodhen në gjendje gatishmërie.